Kërkohet paraburgim ndaj personit që keqpërdori të dhënat e kartelave bankare të klientëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 maj 2022 ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit A.S., në drejtim të veprës penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 të KPRK-së.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se “sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në vazhdimësi e deri me datën 16.05.2022, në Podujevë, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në një subjekt afarist, me qëllim që vetit apo ndonjë personi tjetër të i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, respektivisht të një numri të konsiderueshëm të të dëmtuarve, duke ua vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave bankare të cilët kanë bërë blerje në këtë dyqan, ku këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave–kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para/euro,  çka me këtë ka përfituar një shumë në vlerë prej mbi 5,000 euro”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, inkurajon të gjithë qytetarët të cilët mund të jenë të dëmtuar në këtë rast, të paraqiten në Zyrën e Prokurorit të Shtetit apo në Policinë e Kosovës, në mënyrë që të bashkëpunojnë dhe të ofrojnë informata, për ta ndriçuar në plotëni këtë çështje penale.

Go to TOP