KEK lejon qarkullimin në rrugën Vodicë–Dardhishtë pas përmbytjeve

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar qytetarët e Komunës së Obiliqit se, si pasojë e reshjeve të fundit të shiut dhe përmbytjeve në disa rrugë lokale, ka lejuar hapjen për qarkullim të përkohshëm të rrugës Vodicë–Dardhishtë, e cila kalon përmes zonës së KEK-ut.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas një kërkese zyrtare nga Komuna e Obiliqit dhe është miratuar nga menaxhmenti i KEK Sh.A., me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe sigurimit të lëvizjes së qytetarëve gjatë kësaj gjendjeje emergjente.

Rruga do të jetë e hapur vetëm përkohësisht, deri në normalizimin e situatës dhe rikthimin e kushteve të rregullta të qarkullimit në zonat e prekura nga përmbytjet.

KEK Sh.A. ka publikuar edhe një hartë orientuese, ku është e shënuar qartë rruga e lejuar për qarkullim, duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e sigurisë gjatë kalimit në këtë segment rrugor.

Korporata ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Kosova.info/


Go to TOP