KEK certifikohet me ISO 9001:2015
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shënuar një arritje të rëndësishme në procesin e modernizimit duke u certifikuar me standardin ndërkombëtar ISO 9001:2015 për Menaxhimin e Cilësisë.
Ky certifikim dëshmon përkushtimin e KEK-ut në ndërtimin dhe zbatimin e sistemeve të avancuara menaxheriale, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Procesi ka nisur më 1 shtator 2025 dhe është përmbyllur me sukses pas auditimit të jashtëm.
Certifikata, e vlefshme deri më 29 prill 2029, mbulon aktivitetet kryesore të korporatës, përfshirë menaxhimin, administrimin dhe operimin e termocentraleve dhe minierave të qymyrit.
Sipas KEK-ut, ky sukses është rezultat i angazhimit të stafit, profesionalizmit të treguar gjatë procesit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha njësive organizative.
Me këtë certifikim, KEK vlerësohet se po hyn në një fazë të re zhvillimi duke synuar transformimin në një korporatë moderne, efikase dhe të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. /Kosova.info/

