KCSF lanson fazën e dytë të programit EJA Kosovë

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka mbajtur sot ceremoninë e lansimit të fazës së dytë të programit EJA Kosovë si dhe ndarjes së Çmimit për Demokraci për vitin 2023.

Sipas njoftimit per media  të KCSsë, në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, korit diplomatik në Kosovë, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve u shënua vazhdimi i bashkëpunimit në përkrahje të shoqërisë civile në Kosovë.

Faza e dytë e programit “EJA Kosovë “vazhdon të bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia dhe përfshinë rreth 200 grante në një shumë të përgjithshme prej rreth 2.5 milionë euro për 5 vitet e ardhshme, si përkrahje për organizata jo qeveritare, nisma të paregjistruara dhe individë që angazhohen drejt nxitjes së një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha, ka theksuar se” EJA Kosovë”, gjatë fazës së parë të filluar në vitin 2019, ka ndarë më shumë se 2.3 milionë euro nëpërmjet 98 granteve të shumave e natyrave të ndryshme, me anë të të cilëve ka përfshirë drejtpërdrejtë mbi 30,000 qytetarë të Kosovës, ka trajtuar mbi 850 çështje me interes për ta, e ka arritur ndryshime në dhjetëra sektorë të ndryshëm, në të gjitha rajonet e Kosovës.

“Prej kur ka filluar faza e parë e programit “EJA Kosovë” në vitin 2019 bota ka ndryshuar shumë. Por ka mbetur e pandryshuar nevoja që qytetarët të jenë vazhdimisht të vëmendshëm, të informuar e të angazhuar për lagjen, fshatin, qytetin, vendin por edhe planetin, si rruga e vetme që edhe problemet më serioze të trajtohen e tejkalohen. Si program i përqendruar në përfshirje të qytetarëve, EJA Kosovë do të vazhdojë që edhe gjatë pesë viteve të ardhshme të përkrahë organizata të shoqërisë civile, nisma e individë, në punën e tyre për t’u bërë zë i qytetareve e qytetarëve të Kosovës“, ka shtuar ndër të tjera Hoxha.

Ndërsa ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher ka theksuar se demokracia nuk është vetëm një sistem qeverisjeje, por një shprehje qenësore e dinjitetit njerëzor, duke i dhënë zë gjithsecilit. “Kjo është arsyeja pse që nga fillim i angazhimit të Zvicrës në vend, mbështetja për Kosovën në forcim të demokracisë ka qenë një aspekt thelbësor i punës tonë”, ka shtuar ambasadori Sprecher.

Kurse ambasador i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, theksoi se barazia, prosperiteti, mirëqenia dhe cilësia e jetës për të gjithë qytetarët janë thelbësore si për shoqërinë ashtu edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE. ”Suedia mbështet aktorët e shoqërisë civile në Kosovë sepse janë të nevojshëm për zhvillimin demokratik. Grantet e EJA-s janë një shembull i mirë se si kontributet e ndryshme në shoqëri mund të hapin rrugën për zhvillimin”, ka shtuar ambasadori Westerlund.

Po ashtu KCSF i ndau Çmimin për Demokraci 2023 aktivistes së shoqërisë civile, Kosovare Sadiku, e cila ka punuar në zgjerimin e mundësive drejt pranimit dhe integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara si të barabartë me moshatarët e tyre përmes krijimit të hapësirave publike gjithëpërfshirëse.

Sadiku së bashku me bashkëpunëtorët e saj, gjatë vitit 2023, për herë të parë në Prishtinë kanë krijuar kënde të lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuara. /Kosova.info/

Go to TOP