Kapen me 400 kg barna të dyshuara, arrestohen pesë kosovarë në Shqipëri
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka arrestuar pesë qytetarë nga Kosova në Aeroportin e Tiranës, pasi u kapën me më shumë se 400 kilogramë barna që dyshohen se janë të kontrabanduara dhe 300 mijë euro të padeklaruara.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, barnat dyshohet se do të përdoreshin si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Operacioni policor i koduar “Transit” është finalizuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Policia e Shtetit tha se gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç.
“Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani.
Tutje u tha se medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, teksa materialet i kaluan Prokurorisë.
