Kapen 107 kg drogë në kamionin me targa të Serbisë në terminalin doganor në Prishtinë

Policia e Kosovës ka sekuestruar 107 kilogramë marihuanë.

Kështu ka njoftuar Policia nëpërmjet komunikate.

Sipas Policisë droga është gjetur në një kamion “Iveco”, me targa të huaja që e drejtonte një shtetas i Serbisë.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më datë 29.01.2023, në orën 22:40, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor, ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike.”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia ka njoftuar se aksioni është kryer në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës.

Gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë. Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë.”, ka njoftuar Policia.

Në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë.

“Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë kurse rasti procedohet për veprime të mëtutjeshme, përderisa vazhdojnë veprimet hetimore nga drejtoria përkatëse. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme , në veçanti me abuzuesit e substancave narkotike.”, ka njoftuar Policia.

Go to TOP