Kanë filluar xhirimet e filmit `Jerëm`, në regji të Ismet Sijarinës

Në mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe në bashkëprodhim me Shqipërinë, si dhe të Maqedonisë së Veriut, ka filluar të xhirohet filmi “Jerëm”, në regji të Ismet Sijarinës.

Filmi “Jerëm” është një dramë psikologjike e thellë që trajton fuqinë e mbijetesës njerëzore, mundësinë e faljes dhe pasojat e dhunës që lë plagë të pashlyeshme.

“Përmes perspektivës së Erës – një gruaje të fortë, por të brishtë – audienca futet në një realitet distopik, ku viktimat dhe autorët bashkëjetojnë në një hapësirë të mjegullt morale, ku fajësia dhe pafajësia shpesh ndërthuren.”

Në rolet kryesore luajnë aktorët: Luli Bitri, Genc Jakupi, Gresa Pallaska, Irena Aliu, Adem Karaga, Jonida Vokshi, Edon Rizvanolli.

Producentë të filmit janë Leonora Lushtaku dhe Ismet Sijarina, ndërsa koproducentë janë Dejan Iliev dhe Florenc Papas. Në këtë projekt janë të angazhuara shtëpitë filmike: “Thumbs Up”, nga Kosova, “DMF DOO Production”, nga Maqedonia e Veriut dhe “Tunnel Film”, nga Shqipëria.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në bashkëprodhim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


Go to TOP