Kane e shpëton Bayern nga humbja
Bayern Munich ka barazuar 2:2 me Mainz në “Allianz Arena”, në një ndeshje ku kampioni në fuqi është detyruar ta shpëtojë një pikë falë një penalltie të vonshme të Harry Kane.
Pavarësisht dominimit në posedim, kanë qenë mysafirët që kanë rrezikuar të parët, ndërsa portieri i Mainz, Daniel Batz, është shquar me disa pritje vendimtare, përfshirë dy raste të pastra ndaj Kane dhe Michael Olise.
Bayern ka kaluar në epërsi në minutën e tridhjetë, kur Serge Gnabry ka asistuar për talentin shtatëmbëdhjetë vjeçar Lennart Karl, i cili e ka shënuar golin e tij të tretë këtë sezon në Bundesliga.
Megjithatë, Mainz e ka barazuar në kohën shtesë të pjesës së parë, me mbrojtësin polak Kacper Potulski që ka realizuar me kokë pas një goditje të lirë të William Boving.
Në pjesën e dytë, Bayern ka pasur vështirësi të krijojë raste, ndërsa Mainz ka befasuar sërish duke kaluar në epërsi në minutën e gjashtëdhjetë e shtatë, kur Lee Jae-Sung ka shënuar me kokë pas një krosimi të Stefan Bell.
Kur dukej se Bayern do të pësojë humbje, vendasit kanë fituar penallti në minutat e fundit, pas një faulli të Potulski ndaj Kane. Sulmuesi anglez ka qenë i saktë nga pika e bardhë dhe i ka siguruar Bayern një barazim 2:2.
Pas këtij rezultati, Bayern mbetet lider në Bundesliga me nëntë pikë më shumë se RB Leipzig dhe Borussia Dortmund. Mainz vazhdon të jetë në fund të tabelës.
