Mërgimtarit në Kamenicë iu rrënua shtëpia, Inspektorati del me një sqarim

Inspektorati komunal në Kamenicë ka dhënë sqarime lidhur me rrënimin e një shtëpie në Kamenicë. Sipas Inspektoratit, sot është rrënuar një objekt pa Leje Ndërtimore në Kamenicë, pas dhënies së afatit të parespektuar, që pala në mënyrë vullnetare ta kryej rrënimin.

Sipas njoftimit të Inspektoratit Komunal në Kamenicë, objekti i rrënuar gjendej në në lagjen “Jehona”, rruga “Hasan Prishtina” numër 112.

“Ky objekt është rrënuar nga Inspektorati duke u bazuar në Aktvendimin me numër Sh.02 Nr.33642 të datës 18.10.2022, ku thuhet se: “Aktvendimi i sektorit të Inspektoratit nr.18374 i datës 14.06.2022 është bërë i formës së prerë- i ekzekutueshëm më 02.07.2022. Ekzekutimi i vendimit bëhet më datë 19.10.2022””, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Inspektorati ka publikuar më shumë nga vendimi për rrënimin e objektit pa leje.

“Nëse pala në mënyrë vullnetare e rrënon objektin e ndërtuar pa Leje Ndërtimore i jepet mundësia që rrënimin ta bëjë deri më datë 18.10.2022. Ndërsa sipas Inspektoratit pala e cila ka ndërtuar objektin pa Leje ndërtimore ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë. Ndër të tjera sipas Inspektoratit Komunal zona në të cilën është ndërtuar objekti pa Leje Ndërtimore është zonë e destinuar për tokë pjellore dhe nuk lejohet ndërtimi”, thuhet në fund.

Mediat lokale në Kamenicë kanë publikuar fotografi dhe video, ku shihej pronari i shtëpisë, i cili, i revoltuar ka thënë se do t’i largojë fëmijët nga shkolla në Kosovë për të mos jetuar më këtu.

“Pronari i shtëpisë që pritet të rrënohet nga Inspektorati: Jam mërgimtar dhe që nga sot unë i çlajmëroj fëmijët nga shkollat këtu. Krejt çka kam pasur i kam investuar në këtë shtëpi. S’mund të jetoj më këtu…”, citohet të ketë thënë mërgimtari.

Go to TOP