Kamberi: Linja e veçantë buxhetore për Luginën, domosdoshmëri për mirëqenie
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka zhvilluar këtë të martë takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Zëri i vetëm i shqiptarëve të Luginës në Kuvendin e Serbisë ka shkruar se linja e veçantë buxhetore për Luginën e Preshevës paraqet domosdoshmëri për mirëqenien e qytetarëve të atyre komunave, ndërsa sipas tij, koordinimi dhe bashkëpunimi me Shqipërinë ofron garanci në avancimin dhe realizimin e të drejtave të tyre kolektive.
Sipas Kamberit, përparimi i Shqipërisë në rrugën evropiane është mundësi për përparimin e shqiptarëve.
“Linja e veçantë buxhetore për Luginën e Preshevës paraqet domosdoshmëri për mirëqenien e qytetarëve të komunave tona ndërsa koordinimi dhe bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë ofron garanci në avancimin dhe realizimin e të drejtave tona kolektive. Kënaqësi të takoja sot në Tiranë, Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë , znj. Elisa Spiropali, me të cilën bashkëbiseduam për çështjet e lartpërmendura. Përparimi i Shqipërisë në rrugën evropiane është mundësi për përparimin e shqiptarëve gjithandej”, ka shkruar kuvendari shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi.