Kajtazi: Zbulimi i furnitorëve ushqimorë të ushtrisë rrezikon sigurinë në situata kritike
Ditëve të fundit në vend është hapur debat nëse duhet bërë publikë furnitorët e ushqimit për FSK-në. E në lidhje me këtë, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, në një bashkëbisedim për Kosova.ino, ka theksuar rëndësinë që ka sekreti ushtarak që nga fillimet e luftës si fenomen shtetëror.
Sipas tij, që prej kohësh historia e njerëzimit ka njohur sekretin ushtarak si një element të rëndësishëm, për të cilin janë krijuar njësi të veçanta në nivele strategjike dhe taktike, si për ruajtjen ashtu edhe për marrjen e tij nga kundërshtari.
“Njëri nga gjeneralët dhe teoricienët e spikatur, Baroni Le Zhomin, ka thënë: ‘E tërë jeta ime ushtarake më ka kaluar duke menduar, se çfarë ka matanë kodrës’. Shih për këtë, nga tetë parime që njeh teoria e luftës, dy lidhën drejtpërdrejt me këtë element (Befasia dhe sigurimi luftarak),” shprehet Kajtazi.
Ai thekson se edhe sot, sekreti ushtarak nuk ka humbur rëndësinë e tij, por është zvogëluar gama e asaj që konsiderohet sekret.
Sipas tij, me dokumentin e Vjenës 94/1999 të miratuar nga OSBE, shtetet anëtare janë të detyruara të raportojnë numrin e ushtarëve, rezervistëve, pajisjeve ushtarake, bazave dhe planet stërvitore. Madje, një nga nenet parashikon edhe vizitat në bazat ushtarake.
“Futja e satelitëve në përdorim ka minimizuar tej mase mundësinë për të fshehur diçka që dikur konsiderohej sekret ushtarak. Ajo që tani është sekret ushtarak lidhet me atë që në nivel operacional konsiderohet ‘Art i luftës’, përfshirë doktrinën ushtarake, planet e luftës, mobilizimin, komunikimin, logjistikën, kontratat dhe furnizimet me pajisje ushtarake, kodet e komunikimit etj. Në shtetet e NATO-s, këto janë të përcaktuara qartë sipas nomenklaturës,” shpjegon Kajtazi.
Duke e lidhur me rastin e ushtrisë së Kosovës, Kajtazi thekson se edhe ushtria e Kosovës, e ndërtuar me asistencën e NATO-s, ka të njëjtat standarde sekreti.
“Nëse furnitori me ushqim në shtetet e NATO-s është në listën ‘sekret’, kjo duhet të jetë edhe për ushtrinë tonë.”
Ai paralajmëron se zbulimi i furnitorit të ushqimit të ushtrisë mund të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare.
“Shumë më tepër dëm i është bërë ushtrisë me mënyrën se si është devijuar procesi i administrimit të furnizimit të ushtrisë me ushqim, sesa bërja publike e furnitorit. Ky ekspozim i gjendjes është një objektiv i mirë për shërbimet inteligjente armiqësore që në të ardhmen, në situata kritike, të krijojnë kombinime për të sabotuar furnizimin me ushqim të ushtrisë,” thotë ai.
Kajtazi përfundon duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për ruajtjen e këtij procesi, i cili është jetik për funksionimin e ushtrisë në kohë krizash. /Kosova.info/