Kadrijaj i përgjigjet deputetit të VV-së: Baca Gani, fjalime të tilla duhet t’i lësh sot për hir të respektit ndaj veteranëve

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqit, i cili në seancën e sotme të Kuvendit i kërkoi deputetëve të AAK-së dhe kreut të saj, Ramush Haradinajt, që të ndalojë me sharjet ndaj deputetëve të pozitës.

“Ramush është turp. Nuk ja kemi borxh, nuk do të dëshiroja që Ramushi të na shajë edhe me nanë. Ne kemi urtësinë tonë sepse thuhet se i shari të shanë”, ka thënë Krasniqi.

E në fjalën e saj, Kadrijaj i ka replikuar Krasniqit, duke i thënë “baca Gani, respekt për fjalimin e sotëm, por të kisha propozuar që fjalime të tilla t’i lësh sot për hir të veteranëve”.

Deputetja opozitare ka thënë se veteranët të cilët sot po protestojnë para Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen në Ligjin për pagën minimale, meritojnë të përkrahen.

“Duhet t’i përkrahësh veteranët se kështu ka kërkon nderi dhe kontributi yt familjar dhe i shumë të tjerëve”.

“Kurrë s’e kam paramenduar se një qeveri e udhëhequr nga Kurti do t’i detyrojë veteranët të dalin të protestojnë për minimumin e kërkesave që janë të garantuara me ligj. Kurrë s’e kam menduar që Kurti dhe deputetët e VV-së do të votojnë kundër interesave të luftëtarëve”.

Ndërsa, duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Kadrijaj ka thënë se është “marre kryeministër, në vend që sot me ardhë këtu para deputetëve, është mirë të dalësh para veteranëve, të cilët janë kategoria më e vlefshme”.

“Më vjen keq që sot në protestë kam parë shumë invalidë të luftës, shumë ish-ushtarë, ndërsa sot ti Albin Kurti i ke detyruar të kërkojnë lëmoshë. Andaj, sot ne nuk mund të sillemi sikur asgjë nuk po ndodh jashtë. Dil kryeministër dhe ti Glauk Konjufca e shihi se çka po ndodh jashtë Kuvendit që t’i e udhëheqë”, ka deklaruar ajo.

Go to TOP