Kaçaniku përkujton Qamil Ilazin me bashkëluftëtarë në 26-vjetorin e rënies

Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se, në kuadër të 26-vjetorit të rënies, është përkujtuar heroi, komandanti Qamil Ilazi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij.

Sipas njoftimit, me rastin e 26-vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazi – komandant Bardhi, dhe dëshmorëve Selim Shehu, Rizvan dhe Xhezair Bela, Sakip Mulaku, Ejup Dushkaja, Burhan Zeneli dhe Hesat Axhami, si dhe martirëve Hajdin Bela dhe Zejnete Avdiu, janë organizuar manifestime përkujtimore në Gjurgjedell, Llanishtë, te vendi i quajtur “Te Vest”, dhe manifestimi qendror në Kaçanik të Vjetër.

“Familjarë, miq, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në Manifestimin Përkujtimor të mbajtur në shkollën fillore ‘Qamil Ilazi’ për të përkujtuar heroin e kombit, Komandant Bardhi, në 26-vjetorin e rënies heroike, si dhe bashkëluftëtarin Selim Shehu. Në fjalën e tij, nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, tha se duke kujtuar dëshmorët, ne nderojmë të kaluarën tonë historike, e cila është sa e dhimbshme, por aq edhe krenare. Ai shtoi se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për sakrificën e më të dashurve të tyre, sepse pa sakrificë nuk do të kishte luftë, pa luftë nuk do të kishim dëshmorë dhe pa dëshmorë nuk do të kishim lirinë tonë.” Në emër të Këshillit Organizues foli Fahri Vishi, ndërsa në emër të OVL-së së UÇK-së, të pranishmëve iu drejtua veterani Jashar Selimi. Po ashtu, deputeti Ilmi Reqica i përshëndeti të pranishmit.

Në fund të këtij manifestimi u shfaq një program artistik nga nxënësit e shkollës “Qamil Ilazi”.

Pas manifestimit, u vendosën kurora lulesh tek busti i heroit dhe u bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së. /Kosova.info/


Go to TOP