Ka nisur numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, gjatë një konference për media, ku njoftoi se votimi në përfaqësi diplomatike është zhvilluar më 6 qershor në 30 misione diplomatike.

“Nga 27 mijë e 724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22 mijë e 360 prej tyre apo 82.46%”, deklaroi Elezi.

Ai njoftoi gjithashtu se paralelisht në QNR po vazhdon procesi i verifikimit të pakove të supozuara me fletëvotime që i përkasin votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit me postë.

“Deri në përfundim të ditës së mërkurë, në vlerësim janë përfshirë 23 mijë e 300 pako”, tha Elezi.

Duke folur për pakot e refuzuara, zëdhënësi i KQZ-së theksoi se arsyeja më e shpeshtë e refuzimit lidhet me dokumentacionin e paplotë të votuesve.

“Arsyeja më e shpeshtë është mungesa e dëftesës së regjistrimit që votuesi e pranon nga KQZ”, u shpreh Elezi.

Procesi i numërimit dhe verifikimit të votave nga diaspora po zhvillohet në kuadër të administrimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja.

Go to TOP