Ka nisur edicioni i pestë i Peja Jazz Festival
Edicioni i 5-të i Peja Jazz Festival ka nisur mbrëmë në Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, duke shënuar fillimin e një programi të pasur muzikor që do të zgjasë deri më 3 nëntor.
Në programin e mëngjesit në RTK, në lidhje të drejtpërdrejtë ishte Vullnet Sanaj, organizator Peja Jazz i cili tregoi më shumë rreth festivalit.
“Peja njihet si vend që ka sjellë shumë persona që kanë kontribuar në muzikën Jazz dhe mendoj që kjo edhe e bënë më të lehtë organizimin mirëpo në të njëjtën kohë mund të themi se përmes organizatës Anibar ne kemi punuar në rritjen e kapaciteteve të individëve të ndryshëm që tash e shumë vite merren me organizimin e shumë ngjarjeve kulturore në Kosovë”, tha Sanaj.
Ndër të tjera ai tha se në kohën kur ka filluar ky festival ka qenë vit pandemik dhe salla ishte bosh deri sa tash ajo po mbushet.
“Peja Jazz ka filluar para 5 viteve pra një vit pandemik, aso kohe me dëshirën për të sjellë muzikë të mirë dhe një aktivitete kulturor ku në atë kohë nuk kishim shumë të tillë. Mbrëmë e kemi pasur natën e parë të festivalit ku salla e kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ ka qenë e mbushur dhe besoj se kështu ka për të vazhduar edhe në netët në vazhdim”, tha ai.
Edhe netëve të ardhshme, audienca do të ketë mundësinë të shijojë një gamë të gjerë interpretimesh që do të përfshijnë tingujt e instrumenteve të veçanta dhe ritme nga kultura të ndryshme.