Angelina Jolie viziton Pakistanin e goditur nga përmbytjet
Aktorja fituese e Oskarit, Angelina Jolie, u takua me banorët e zhvendosur në Pakistanin jugor më 20 shtator, ndërsa vendi po lufton me një shpërthim të sëmundjeve mes përmbytjeve masive të shkaktuara nga shirat monsune.

Jolie është e dërguar speciale e OKB-së për refugjatët. Ajo kishte qenë edhe më parë në Pakistan si e dërguar speciale e OKB-së, pas tërmetit vdekjeprurës të vitit 2005 dhe pas përmbytjeve të vitit 2010.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) tha në një deklaratë para vizitës së aktores, më 20 shtator, se Jolie do të ishte atje “për të dëshmuar dhe për të kuptuar situatën si dhe për të dëgjuar nga njerëzit e prekur drejtpërdrejt për nevojat e tyre dhe për hapat për të parandaluar vuajtje të tilla në të ardhmen”.

Sezoni i shirave monsune të vitit 2022 ka sjellë sasi tri herë më shumë sesa mesatarja e reshjeve në Pakistan, duke shkaktuar përmbytjen e një pjese të madhe të vendit.

Më shumë se 1.500 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve, duke përfshirë një numër në rritje të vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se sëmundjet në rritje si rezultat i përmbytjeve ka gjasa të shkaktojnë një “katastrofë të dytë”.

Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur nga sëmundjet që nga 1 korriku dhe më shumë se 2.7 milionë janë trajtuar për sëmundje të shkaktuara nga uji në spitale të improvizuara dhe të lëvizshme, sipas agjencisë Reuters.

Shkalla masive e përmbytjeve po e thellon krizën mjekësore pasi shumë spitale mbeten të zhytura në ujë dhe të papërdorshme. Pjesa më e madhe e tokës bujqësore të vendit për kultivimin e ushqimit është gjithashtu nën ujë.

Zyrtarët pakistanezë thanë se do të duhen të paktën dy muaj që ujërat e përmbytjeve të tërhiqen plotësisht.
