Dyshimet për mbetje mortore, ja kur do të nisin gërmimet

Në Kosovë ende mungojnë eshtrat e rreth 1.600 personave të cilët janë zhdukur në luftën e vitit 1998-99.

E gërmimet për gjetjen e eshtrave të tyre do të vazhdojnë muajve në vijim.
Lajmin e kanë bërë të ditur nga Ministria e Drejtësisë.

Këshilltari për media i Ministres, Albulena Haxhiu, Flamur Pireva, tha se gërmimet do të vazhdojnë në Prizren, Suharekë dhe Kamenicë.

“Të gjitha aktivitetet të cilat ne i realizojmë bazohen në urdhëresat e lëshuara nga Gjykata ose Prokuroria e Republikës së Kosovës, të cilat në bazë të hetimeve të kryera ë përcaktojnë vendet e dyshimta ku mund të gjenden personat e zhdukur gjatë luftës. Prandaj, këto lokacione janë të shpërndara gjithandej territorit të Republikës se Kosovës dhe muajve në vijim pritet të vazhdojnë punët në disa lokacione në komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Kamenicës”, thuhet nga MD.

Tutje nga Ministria e Drejtësisë, kanë thënë se mostra të cilat janë gjetur këtë vit janë dërguar për analiza të ADN-së.

“Gjate këtij viti kemi pasur aktivitete të shumta fushore, disa nga të cilat kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve skeletore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Këto mbetje skeletore janë ekzaminuar në IML, ku edhe janë marre mostrat kockore të cilat janë dërguar për analize të ADN-së dhe tani jemi në pritje të rezultateve nga këto analiza për identifikimin e tyre”, bëjnë të ditur nga MD-ja.

Për personat e zhdukur në Kosovë, për FrontOnline ka folur edhe kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini.

Ai tha se puna e Komisionit qeveritar për personat e zhdukur ka ngecur duke i lënë pas dore varrezat masive.

“Grupi punues i komisionit qeveritare ka stagnuar, ata i bëjnë disa hulumtime ad-hoc, e varrezat masive i kanë lënë pas dore dhe ka stagnuar procesi komplet”, tha Qerkini

E fajin për këtë ngecje Qerkini, e hedhë të politika, duke thënë se çështja e personave të pagjetur nuk duhet të jetë politike, por humane.

“Fajtor është politika e kanë përzier politiken me çështjen humane njerëzore jopolitike, politika duhet me shikuar e jo me stagnuar dhe me na zbut pak dhimbjen. Edhe me i gjet dhimbjen nuk na e largojnë por na zbutin, kërkesa jonë është më u largu politika”, u shpreh ai

I pyetur se a pret që në takimin e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të gjendjet një zgjidhje për të pagjeturit, Qerkini tha se një gjë të tillë ia ka premtuar Lajçaku gjatë takimit që kanë pasur.

“Sipas Lajcakut i cili ishte në zyre është premtuar se do të diskutojnë edhe për këtë çështje dhe besojmë se edhe Qeveria jonë do ta përmend këtë çështje në bisedime”, deklaroi Qerkini

Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, bëri thirrje që sa më par të filloj procesi i kërkimit të mbetjeve mortore të pagjeturve pasi që siç tha ai mos fillimi i punës po e rëndon dhimbjen e tyre.

“Apeli jonë është që të largohet politika nga ky proces e të fillohet të punohet sepse po na rëndojnë dhimbjen që e kemi të pashërueshme”, u shpreh ai.

Gjatë vitit 2021 institucionet kosovare në bashkëpunim me ato serbe dhe Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi të cilat rezultuan me gjetjen e 24 personave që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.

Go to TOP