Jepen 18 leje ndërtimore në Gjilan, tejkalohen të hyrat

Trendi i rritjes së vëllimit të punës e po ashtu edhe të të hyrave, ka vazhduar edhe në tre muajt e parë të këtij vitit në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit.

Në raport me periudhën e njëjtë raportuese të vitit 2023 është realizuar rritje në kuotën 126%.

Ali Arifi, drejtor për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, tha se janë munduar të jenë sa më transparent. Të gjitha kërkesat që i paraqesin palët e të cilët i plotësojnë kushtet trajtohen sipas afatit ligjor.

Ai tregon se nga 1 janari deri me 31 mars të këtij viti, kanë pranuar për shqyrtim 194 kërkesa. Derisa kanë punuar 319 akte, shprehur në përqindje 164 %.

“Kemi pranuar 22 kërkesa për leje ndërtimore, derisa janë lëshuar 18 leje”, tha drejtori.

Ali Arifi, theksoi se edhe këtë vit vazhdojnë me trend të rritjes permanente të të hyrave, ku në raport me periudhën e njëjtë raportuese të vitit 2023 kanë realizuar rritje në kuotën 126%.

“Kemi realizuar të hyra në vlerë 300 mijë e 327 euro, apo 62 mijë e 595 euro më shumë se të njëjtën periudhë të vitit 2023 që ishin 237 mijë e 732 euro”, tha Arifi.

Drejtori për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, tha se në raport me Planin e Punës për 1 janar deri 31 mars (TM-1) të vitit 2024 kanë realizuar të hyra në kuotën 172%, derisa ishin të planifikuara 174 mijë e 730. Që është për 125 mijë e 597 euro më shumë sesa janë planifikuar.

Planifikimi i të hyrave për këtë vit është 860 mijë euro, derisa për 3 muajt e parë të vitit janë inkasuar 35 për qind. /Kosova.info/

Go to TOP