Java Evropiane e Imunizimit, bëhet thirrje për përforcimin e vaksinimit

Me rastin e Javës Evropiane të Imunizimit 2026, me moton “Për çdo gjeneratë, vaksinat funksionojnë”, Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS) ka rikujtuar rëndësinë e vaksinimit si një nga ndërhyrjet më efektive në shëndetin publik.

Sipas IEJL-PShS dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat kanë shpëtuar mbi 150 milionë jetë gjatë 50 viteve të fundit dhe kanë kontribuar në rritjen e mbijetesës së foshnjave.

Instituti thekson se vaksinimi mbetet i rëndësishëm gjatë gjithë jetës dhe jo vetëm në fëmijëri.

Në Kosovë, mbulueshmëria me vaksinën DTP3 është 90%, ndërsa me vaksinën MMR 82%, nën pragun e rekomanduar prej 95% për parandalimin e shpërthimeve të fruthit. Gjithashtu, vërehet rënie e mbulueshmërisë me MMR nga 89% në vitin 2024 në 82% në vitin 2025 për moshën 12–24 muaj.

IEJL-PShS paralajmëron se rënia e mbulueshmërisë paraqet rrezik për rikthimin e sëmundjeve të parandalueshme dhe shpërthime epidemike, ndërsa thekson edhe pabarazitë në vaksinim, veçanërisht tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Instituti rekomandon forcimin e komunikimit të bazuar në evidencë, përmirësimin e ndjekjes së vaksinimit, rritjen e bashkëpunimit me prindërit, adresimin e pabarazive, fuqizimin e mjekëve familjarë dhe përfshirjen e mediave në informim të verifikuar.

IEJL-PShS u bën thirrje prindërve që të konsultohen me mjekët familjarë dhe të sigurojnë vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit kombëtar.


Go to TOP