Java e dytë në Superligën e Pingpongut: Drita dhe Prishtina kryesojnë te femrat, Lidhja e Prizrenit dhe Pripingu pa gabime te meshkujt

Të shtunën, më 12 prill, është zhvilluar java e dytë e Superligës së Kosovës në pingpong, ku garat ishin tejet dinamike si në konkurrencën e femrave ashtu edhe atë të meshkujve.

Në Superligën e femrave, skuadra kampione në fuqi, Drita, vazhdoi formën mbresëlënëse duke e mposhtur bindshëm Shpresën në udhëtim me rezultat 4:0. Me këtë fitore, Drita ruan kreun e tabelës me 4 pikë, aq sa ka edhe Prishtina, që triumfoi po ashtu si mysafire ndaj Ahmet Hoxhës në Ferizaj me rezultat 4:1. Skuadra e Gjilanit regjistroi fitoren e parë sezonale, duke e mundur Junikun me rezultat të pastër 4:0, dhe renditet e treta me 3 pikë, aq sa ka edhe Ahmet Hoxha në pozitën e katërt. Në dy pozitat e fundit mbesin Juniku dhe Shpresa, që ende nuk kanë shijuar fitore pas dy javësh garash.

Në Superligën e meshkujve, katër skuadra po tregojnë formë të lartë, duke shënuar nga dy fitore në po aq ndeshje: Lidhja e Prizrenit, Pripingu, Liria dhe Dardania. Lidhja e Prizrenit triumfoi ndaj Vushtrrisë me 4:1, ndërsa Pripingu ishte bindëse kundër Prishtinës me 4:0. Dardania mposhti Shkollën Prizreni me 4:1, dhe Liria fitoi ndaj Hasan Prishtinës me të njëjtin rezultat. Ndërkohë, Prishtina, Vushtrria, Hasan Prishtina dhe Shkolla Prizreni mbesin pa fitore pas dy xhirove të para.

Superliga e pingpongut vazhdon me përballje gjithnjë më të forta, ndërsa skuadrat tashmë kanë filluar të konturojnë objektivat për pjesën tjetër të sezonit. /Kosova.info/


Go to TOP