Isra Elmazi, fituese e çmimit të parë në festivalin “Dita Jonë” në Kërçovë
Në programin “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së, të ftuara ishin këngëtarja e re Isra Elmazi, fituese e çmimit të parë në festivalin “Dita Jonë” në Kërçovë, si dhe kompozitorja Dafina Smajli, e cila ishte pjesë e jurisë në këtë festival
Kënga fituese “Klithma e Paqes”, është kompozuar nga Pëllumb Qerimi, me tekst të Qamil Aliut.
“Ishte një çmim shumë i rëndësishëm për mua sepse ai festival mbahet në qytetin tim të bukur. Vërtet jam e lumtur sepse aty njoftova edhe shokë e shoqe muzikantë. Kam qenë 5 vjeçe kur mami im e zbuloi talentin tim e kështu fillova të këndoj në shkollë, pastaj shkolla më dërgoi tek Pallati i Kulturës dhe tash vazhdoj të këndoj dhe ta dua shumë muzikën”, tha Isra Elmazi.
Dafina Smajli, anëtare e jurisë së festivalit dhe kompozitore e këngëve për fëmijë, vlerësoi festivalin dhe rëndësinë e tij për talentet e reja. “Në kohën që ne po jetojmë është një fat i mirë që në Kosovë dhe në rajon po mbahen shumë festivale të ndryshme. Kjo është shumë mirë për talentet e rinj, pasi festivali është një skenë e vogël, ku më pas ata depërtojnë. Kështu ishte edhe historia e fituesit të festivalit të këngës në RTK; ai kështu kishte filluar”, tha ajo.
Duke folur për festivalin “Dita Jonë”, Smajli theksoi atmosferën e veçantë të edicionit të 11-të. “Ishte një kënaqësi e madhe. Salla ishte e mbushur plot nga të gjitha anët e shqiptarisë dhe kishte këngë nga Elbasani, Shkodra, Prishtina, nga të gjitha anët”, tha ajo.
Në përfundim, Smajli ndau lajmin për projektin e saj të ri kushtuar Nënë Terezës.
“Unë aktualisht jam duke e sjellë edhe një këngë shumë të veçantë për një personalitet shumë të rëndësishëm që përfaqëson të gjitha trojet shqiptare. Emrin e saj e ka njohur gjithë bota. Pra, është fjala për Nënë Terezë, që do ta këndojë një artiste e vogël, por me një vokal shumë të veçantë,” tha ajo.
