Ish-shtetet sovjetike ia mësyjnë BE-së, aplikon për anëtarësim edhe një tjetër
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka nënshkruar një aplikacion formal për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, këtë të enjte dhe ka thënë se atë do ta dorëzojë në Bruksel në ditët e ardhshme.
“Ne duam të jetojmë në paqe, demokraci dhe liri”, ka thënë shkurt ajo nga kryeqyteti i Moldavisë, Chisinau.
Sandu dje është takuar me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Pas rrethanave të reja politike që krijoi nisja e agresionit rus në Ukrainë, disa shtete përshpejtuan hapat e tyre për t’u bërë shtete anëtare të BE-së.
Fillimisht ishte vetë Ukraina që të hënën aplikoi për t’u bashkuar me Unionin. Gjeorgjia, e cila kishte në plan ta bënte këtë në vitin 2024, e bëri sot me procedurë të shpejtë.
Ndërkaq, edhe në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës ku u miratua një rezolutë që dënon agresionin rus në Ukrainë, iu bë thirrje qeverisë që të ndërmarrë hapa konkretë dhe të përshpejtojë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
