Ish-Presidenti Trump thotë se ai gëzonte “gjithë të drejtën” për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020
Ish-Presidenti Donald Trump, i cili përballet me akuza në nivel federal dhe shtetëror, nën dyshimet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitin 2020, tha se kishte “gjithë të drejtën” për të ndërhyrë në zgjedhje.
“Kush ka dëgjuar të të ngrihen akuza për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale kur ke të gjithë të drejtën për ta bërë këtë?”, tha ish-Presidenti Trump gjatë një interviste të transmetuar të dielën në kanalin Fox News.
Një padi federale e akuzon zotin Trump për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve e bllokuar certifikimin në Kongres të fitores së zotit Biden dhe duke ia mohuar zgjedhësve të drejtën për zgjedhje të drejta. Muajin e kaluar, ish-presidenti u përball me një padi të rishikuar mbi këtë çështje, si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Lartë, që u jep imunitet të pakufizuar ish-presidentëve nga ndjekja penale, për akte të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.
Ish-Presidenti Trump përballet me akuza të ngjashme në Qarkun Fulton, në Xhorxhia, ku i është ngritur edhe një akuzë për veprimtari të paligjshme në bashkëpunim, që zakonisht përdoret ndaj grupeve të organizuara kriminale dhe për të cilën mund të jepet dënim deri në 20 vite burg.
Çështja është aktualisht në pritje, ndërsa gjykata e apelit në Xhorxhia po shqyrton një çështje që lidhet me rolin e prokurores së qarkut.
Padia ndaj zotit Trump në Xhorxhia, u nxit nga një telefonatë e 2 janarit 2021, gjatë së cilës ish-presidenti i bëri thirrje zyrtarit më të lartë për zgjedhjet në këtë shtet, Brad Raffensperger, që të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur humbjen me diferencë të ngushtë të tij ndaj zoti Biden. Zoti Raffensperger refuzoi ta bënte një gjë të tillë.
Ish-Presidenti Trump, i cili është aktualisht kandidati republikan për president, nuk ka thënë nëse do t’i pranonte pa kushte rezultatet e zgjedhjeve të 5 nëntorit, nëse ato do t’i fitonte rivalja demokrate, Nënpresidentja Kamala Harris.