Ish-politikani serbo-kroat, Vuçiqit: Kosova është realitet dhe barrë për Serbinë

Ish-politikani i famshëm në Kroaci, Simo Rajiq, i cili njihet për fjalimin e tij të famshëm në Parlamentin kroat në vitin 1990, me të cilin ngriti zërin kundër luftës që po afrohej dhe më pas u bë nënkryetar i Kuvendit, pozitë në të cilën qëndroi vetëm katër muaj e gjysmë dhe më 1991 dha dorëheqje nga jeta politike, ka dhënë një intervistë për mediat kroate, ku ka folur për situatën e përgjithshme në rajon.

Vite më parë (2017), ai ka botuar një libër (“Midis kroatëve dhe serbëve – Të mbetesh vetvetja në kohët e plumbit nuk ishte e lehtë”), ku shkruan se me ardhjen në pushtet të Andrej Plenkoviqit në Kroaci dhe Aleksandar Vuçiqit në Serbi, shpreson për një “fillim të ri”.

Kjo pasi, Rajiq aty e përshkruante dyshen si “politikanë të një brezi të ri”, “të arsimuar” e “demokratë” dhe “të ngjashëm në stilin e punës”.

Por, si i sheh ai këta dy burrështetas? Në një intervistë për gazetën kroate “Novi List”, ai thotë se atë kohë ka shprehur optimizmin e tij.

“Kjo që kam shkruar është një tregues i optimizmit tim. Asgjë nuk është më e bukur se kur sheh dy njerëz të shkolluar, me aq kuantum njohurish dhe përvojash, rini… Kur Vuçiqi ishte në Zagreb në mandatin e Kolinda Grabar-Kitaroviqit, më ftuan në darkë. Kishte dolli dhe fjalë të shkëlqyera dhe u shkrova një dedikim në librin tim, për të dy: ‘Bëhuni lajmëtarët e rinj të Ballkanit, bëni diçka, mjafton’. Dhe për sherr, e lexuan”, tha mes tjerash Rajiq, transmeton Klankosova.tv.

Ai thotë se Vuçiqi ka një hipotekë nga lufta “dhe tani duhet të bëjë gjithçka që të tjerët t’i besojnë, ashtu siç i besojnë serbët që e zgjedhin”.

Thotë se presidenti i Serbisë është i fuqishëm pasi prapa vetes ka edhe qeverinë edhe parlamentin.

“Pse mendoj se Plenkoviqi dhe Vuçiqi, nëse do të ishin bashkë, duke punuar në program, do të qetësonin marrëdhëniet e tyre? Sepse nga kjo nuk do të përfitonte vetëm nga Kroacia dhe Serbia, por do të zgjidheshin shpejt edhe Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi, aje ku situata po zien. Tani do të shpreh një mendim heretik për disa: nëse BE-ja do ta pranonte Serbinë në familjen e saj, qoftë edhe kështu të papërfunduar, dhe nëse ata dy burra do të ishin në të njëjtën tryezë me Macronin, Schultzin dhe të tjerët, unë ju them se një këngë tjetër do të këndohej në Bosnje, ndërsa çështja e Kosovës do të zgjidhej. Kosova është barrë për Serbinë, por edhe për BE-në. Kosova është realitet, siç ka thënë i ndjeri Gjingjiq, ‘një objekt i ndërtuar ilegalisht që kur i del përpara nuk di ta rrënosh apo ta legalizosh’”, thekson ish-politikani kroat, Simo Rajiq.

I pyetur se çfarë do të bënte ai vet me Kosovën, Rajiq thotë: “Do të thërrisja një referendum. Do ta pyesja popullin serb se çfarë mendon, nëse Kosova mund të kthehet në shtetin serb apo jo. Mendoj se në një debat demokratik populli do të votonte për të mos u kthyer në Serbi. Vuçiqi kërkon zgjidhje për Kosovën, duke thënë vazhdimisht se duhet të parandalohet lufta dhe të gjendet një kompromis. Mirëpo, atë fëmijë, atë Kosovë, e ka krijuar dikush”.

“Ky shtet i ri është një projekt i Amerikës dhe i vendeve perëndimore dhe ata nuk mund ta përjetojnë humbjen tani, është luftë e Davidit dhe Goliathit. Serbia duhet të gjejë një rrugë, por jo përmes luftës, sepse ka pasur mjaft luftë. Prandaj them, Vuçiqi mund të bëjë shumë”, deklaroi Simo Rajiq.

Simo Rajiq, në janar të vitit 1991 dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet në Parlament dhe në partinë që e përjashtoi nga anëtarësia.

Më pas i dha lamtumirën politikës dhe kësaj i ka qëndruar besnik edhe sot e kësaj dite. Pas karrierës së tij politike, ai punoi për 15 vjet si avokat i Mitropolitit Zagreb-Lubjanë, dhe sot ai është në pension dhe kalon jetën e tij midis Zagrebit dhe vendlindjes së tij Shtërpce, një nga shumë fshatrat pothuajse plotësisht të shkreta në Lika, Kroaci.

Ai është aktiv vetëm në “Privrednik”, një organizatë humanitare që ofron bursa për edukimin e fëmijëve me status më të ulët financiar.

Megjithatë, ai ndjek ngjarjet politike, veçanërisht zhvillimin e marrëdhënieve kroato-serbe, duke qëndruar edhe sot “besnik ndaj popullit të tij serb dhe atdheut të tij kroat”, siç ishte edhe në kohën kur i kërkohej të merrte një vendim, të cilin ai e ka përshkruar në librin e tij me titull “Midis kroatëve dhe serbëve – Të mbetesh vetvetja në kohët e plumbit nuk ishte e lehtë”.

Go to TOP