Ish-kryeministri maqedonas: Rusia qëndron pas histerisë antibullgare, po punon për të destabilizuar Ballkanin
Rusia qëndron pas histerisë antibullgare në Maqedoninë e Veriut, përfshirë protestat dhe propozimin për referendum për anulimin e marrëveshjes së fqinjësisë me Bullgarinë, thotë ish-kryeministri maqedonas Vlado Buçkovski, shkruan Euroactiv.
Ky i fundit ishte një përfaqësues special i Shkupit në mosmarrëveshjet me Sofjen, të cilat u zgjidhën para verës, duke i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut për të filluar bisedimet e pranimit në BE.
“Rusia ka punuar për të destabilizuar rajonin për një kohë të gjatë,” tha ish-kryeministri në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve BGNES.
“Nuk ka kthim mbrapa në marrëdhëniet bullgaro-maqedonase dhe me ndihmën bullgare do të zbatojmë propozimin francez dhe do të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian”,shtoi ai.
Bullgaria dëboi 70 diplomatë rusë dhe staf diplomatik nga ambasada ruse në Sofje në fillim të verës dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu dëboi disa.
“Nuk është sekret se Rusia ka kohë që po punon për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ish-kryeministri maqedonas.
Ai është i bindur se në Maqedoninë e Veriut, rusët po punojnë për atë që mund të shkaktojë më shumë tensione, e kjo janë marrëdhëniet bullgaro-maqedonase.
“Pas protestave dhe pas dëshirës për të mbajtur një referendum, qëndron ndikimi rus. Herët a vonë, kjo do të bëhet shumë më e qartë,” tha Buchkovski.
