Ish-kryeinspektori i dënuar për korrupsion zgjidhet në krye të Odës së Mjekëve në Gjakovë
Sot në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Iza Grezda” janë mbajtur zgjedhjet për Odën e Mjekëve të Kosovës.
Në mesin e katër mjekëve është zgjedhur edhe Zef Komani, ish-kryeinspektor i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili në vitin 2012 ishte dënuar për korrupsion.
Lajmin për zgjedhjen e tij në Odën e Mjekëve të Kosovës e ka bërë të ditur vetë Komani, i cili përmes një postimi në Facebook ka treguar se ka marrë 30 vota.
“Sot u mbajtën zgjedhjet për Oden e Mjekëve të Kosovës ne Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë. Pas numërimit të votave ky është rezultati: 1. Dr. Luan Pazhari 29 vota. 2. Dr. Amir Iljazi 16 vota.3. Dr. Zef Komani 30 vota. 4. Dr. Ilirjana Frrokaj 11 vota. Të gjithë së bashku do të punojmë në dobi të mjekëve, personelit shëndetësor e sidomos pacientëve”, ka shkruar ai, transmeton Kosova.info.
Në tetor të vitit 2012 Komani është gjetur fajtor dhe është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në kohën e aktivitetit të paligjshëm, Komani ishte përgjegjës për inspektimin, nëse klinikat private shëndetësore po respektonin ligjet dhe rregulloret e Ministrisë së Shëndetësisë.
Komani kishte shqiptuar dhe kërcënuar se do të shqiptonte dënime të majme për disa klinika private shëndetësore me arsyen se nuk kishin respektuar rregulloret. Klinikat mund të evitonin këto dënime në rast se do të paguanin Komanin për “heshtjen” e tij në Ministri.
