Ish-deputetja i shkruan Drejtorit të ri të RTK-së: Zgjidhjen e problemeve aty e ka në dorë kjo parti

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, i ka shkruar një letër të hapur drejtorit të ri të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Pantina ia ka radhitur tri probleme, që sipas saj, pa zgjidhjen e tyre RTK nuk do të bëhet asnjëherë medium i publikut. Ajo tha se zgjidhjen e këtyre problemeve nuk e ka në dorë as menaxhmenti e as bordi i RTK-së, por partia që udhëheqë me Kuvendin.

“Nga përvoja ime në Kuvend nga ku e kam përcjelle nga afër punën e RTK-së, janë të paktën tri probleme madhorë pa zgjidhjen e të cilave RTK nuk do bëhet asnjëherë medium i publikut. Dhe zgjidhjen e këtyre problemeve nuk e ka në dorë menaxhmenti e as bordi i RTK, por partia qe udhëheqë me Kuvendin”, ka shkruar Pantina.

Sipas Pantinës, problemi i parë është çështja e pronës. Ajo tha se qeveria mundet që me një vendim t’i kërkoj ATK-së që pronësinë mbi ndërtesën e radios të ia kaloj RTK-së dhe pastaj të ndajë buxhet për meremetimin e saj.

Problemi i dytë, Pantina thotë se është financimi. Sipas saj, financimi i RTK-së duhet të bëhet nga publiku, gjë që do të rriste transparencën, cilësinë e shërbimeve dhe efikasitetin në mënyrën e shpenzimeve.

Gjithashtu, ish-deputetja tha se zgjedhja e bordit duhet të ndryshohet.

“Me ligjin aktual çdokush mund te nominoj kandidatë për bord, madje njerëzit edhe mund te vet nominohen, dhe pastaj edhe përzgjedhjen edhe në fund zgjedhjen e bënë Kuvendi. Kuvendi mund të vendoj për zgjedhjen e anëtarëve të bordit, por përzgjedhja e kandidatëve që shkojnë në Kuvend për të u votuar duhet t ndryshoj. Edhe për këtë ka më shumë se një mënyrë se si mund të bëhet, mjafton që të ketë vullnet”, ka shkruar Pantina.

Letra e plotë:

Letër e hapur Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTK-së
I nderuar z. Ahmetxhekaj,
Fillimisht urime për detyrën e re si Drejtor i Përgjithshëm i Transmetuesit Publik.
Duke ditë gjendjen e rëndë ku është i zhytur transmetuesi publik, gjë të cilën ju e dini më mirë se unë, ju përgëzoj për guximin që i keni dalë në ballë një sfide të tillë. RTK siç e dini ju mirë, është në situatë tejet të rëndë për shkak kryesisht të keq menaxhimit por jo vetëm.
Se si është situata brenda transmetuesit publik dhe çfarë ndryshimesh duhet bërë për ta venë në binar besoj e dini ju më mirë sepse jeni pjesë e këtij mediumi për më shumë se një dekadë besoj. Megjithatë jo të gjitha problemet me RTK mund të zgjidhen nga menaxhmenti, dhe jo të gjitha problemet janë të shkaktuara nga menaxhimi i keq.
Nga përvoja ime në Kuvend nga ku e kam përcjelle nga afër punën e RTK-së, janë të paktën tri probleme madhorë pa zgjidhjen e të cilave RTK nuk do bëhet asnjëherë medium i publikut. Dhe zgjidhjen e këtyre problemeve nuk e ka në dorë menaxhmenti e as bordi i RTK, por partia qe udhëheqë me Kuvendin.
Unë dua të ti sjell në vëmendjen tuaj këto tri probleme, dhe ju nëse vërtet doni që RTK të i kthehet publikut duhet të i kërkoni Kuvendit, gjegjësisht partisë që udhëheq me qeverinë pra Lëvizjen Vetëvendosje, të i ndërmarrë veprime.
E para: çështja e pronës, gjegjësisht objekti ku zhvillon veprimtarinë RTK. Aktualisht ndërtesa ku gjendet Televizioni është pronë e kontestuar ndërsa ndërtesa ku gjendet radio është nën menaxhimin e AKP. Qeveria mundet që me një vendim të i kërkoj ATK që pronësinë mbi ndërtesën e radios të ja kaloj RTK dhe pastaj të ndajë buxhet për meremetimin e saj. Ndërtesa është e mjaftueshme për të akomoduar edhe Televizionin edhe radion. Natyri8sht që duhet një investim për të bërë gjithë ndërtesën funksio9nale dhe për të modernizuar studiot, por kjo është e mundur, mjafton që të ketë vullnet të nevojshëm.
E dyta: Financimi i RTK duhet të bëhet nga publiku. Kjo përveç se do e rriste pavarësinë e RTK, do e rriste edhe transparencën por edhe cilësinë e shërbimeve dhe efikasitetin në mënyrën e shpenzimeve. Ka më shumë se një opsion se si mund te bëhet kjo dhe një shumë prej 20 euro në vit nuk është as barrë e madhe për familjet kosovare dhe e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e RTK. Televizionet private sot në Kosovë kanë tri herë më pak buxhet dhe ofrojnë programe tri herë më cilësore se RTK aktualisht. Pra nëse ka vullnet edhe kjo është e mundur. Nëse vazhdon financimi i RTK drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, harroni se do kemi transmetues publik, atëherë mirë është që RTK të shpallet medium shtetëror që propagandon punën e qeverisë.
E treta: zgjedhja e bordit duhet të ndryshohet. Me ligjin aktual çdokush mund te nominoj kandidatë për bord,m madje njerëzit edhe mund te vet nominohen, dhe pastaj edhe përzgjedhjen edhe në fund zgjedhjen e bënë Kuvendi. Kuvendi mund të vendoj për zgjedhjen e anëtarëve të bordit, por përzgjedhja e kandidatëve që shkojnë në Kuvend për të u votuar duhet t ndryshoj. Edhe për këtë ka më shumë se një mënyrë se si mund të bëhet, mjafton që të ketë vullnet.
Si anëtare e komisionit parlamentar që ka mbikëqyr dhe ka filluar edhe hartimin e ligjit të ri për RTK unë kam dhënë disa propozime se si mund te bëhet kjo, por jam nëse e bindur se në Kosove e besa edhe brenda RTK ka njerëz që mund të kenë ide shumë të mira për adresimin e çështjeve që ngrita më lart por edhe problemeve tjera me të cilat përballet RTK. Deri me tani nuk kemi parë një interesim e aq më pak angazhgi8m nga ana e partisë në pushtet për të i zgjidhur problemet në RTK prandaj ju mbetet juve që të ndërmerrni hapat e parë.
Unë mbetem në dispozicion për të ofruar kontributin tim dhe do vazhdoj të përcjell punën e RTK duke mos i kursyer kritikat por as lëvdatat kurdo që ka vend për to.
Suksese e fat në misioni Tuaj!
Shqipja

Go to TOP