Inteligjenca zvicerane: Gjeneva qendra e rrjetit të spiunëve rus
Shërbimi Federal i Inteligjencës Zvicerane ka lëshuar një raport duke pretenduar se Gjeneva është bërë një pikë qendrore për spiunazhin rus në Evropë. Sipas inteligjencës zvicerane, numri i agjentëve sekretë rusë matet në të paktën dhjetëra, transmeton Kosova.info.
Raporti thotë se pasi vende të ndryshme evropiane filluan të ekspozojnë dhe dëbojnë oficerët e inteligjencës ruse, shërbimet sekrete ruse me sa duket vendosën t’i zhvendosin ata në Zvicër, një vend neutral që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.
Marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Rusisë u përkeqësuan pas pushtimit ushtarak rus të Ukrainës. Zvicra i është bashkuar shumicës së sanksioneve që BE ka vendosur ndaj Moskës. Presidenti zviceran Ignazio Cassis tha më pas se Zvicra nuk pushon së qeni qendra e diplomacisë evropiane, por është e detyruar të tregojë se çfarë vlerash mbështet dhe çfarë kufijsh politikë i konsideron të nevojshme të vendosë.
Kreu i departamentit të inteligjencës, Christian Dusset, i cili në vitet 2000 punoi si këshilltar politik në Ambasadën Zvicerane në Moskë, dhe më vonë si këshilltar diplomatik i Presidentit të Zvicrës, konfirmoi gjithashtu në një intervistë për gazetën Tages-Anzeiger : “Gjeneva mbetet qendra e aktivitetit të spiunazhit. Ne e dimë se ka disa dhjetëra agjentë që mbajnë pozicione në misionet diplomatike dhe konsullore ruse.”
Pas fillimit të luftës ruse kundër Ukrainës, rreth 200 diplomatë rusë u dëbuan nga vendet e BE-së, ShBA dhe Japonia. /Kosova.info/
