Inspektorati Policor i Kosovës pranoi 180 ankesa nga qytetarët serbë na katër vite

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në tri vitet e fundit në katër komunat veriore të Kosovës janë pranuar 180 ankesa dhe informata nga qytetarët serbë. Sipas Inspektoratit, 87 prej këtyre rasteve dyshohen të kenë elemente penale, disa prej të cilave kanë përfunduar, ndërsa një pjesë tjetër janë ende në proces hetimi. Deklarata vjen pas reagimit të misionit të EULEX-it, i cili ka kërkuar hetimin e çdo pretendimi për shkelje të të drejtave të njeriut në pjesën veriore të Kosovës.

Në anën tjetër, arrestimet e fundit të një aktivisti politik dhe një qytetari serb në veri të Kosovës kanë ngjallur reagime. Disa organizata joqeveritare serbe dhe të shoqërisë civile kanë njoftuar se do të ndërpresin bashkëpunimin me EULEX-in, duke e akuzuar për dështim në monitorimin e institucioneve të Kosovës në lidhje me të drejtat e njeriut. Ato pretendojnë se një qytetar serb është keqtrajtuar nga Policia e Kosovës, por Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast. Qytetari serb është arrestuar për dyshim se ka dëmtuar një pronë private në praninë e zyrtarëve policorë.

Hetuesit e IPK-së po kryejnë një hetim preliminar për të verifikuar pretendimet për keqtrajtim gjatë ndërhyrjes policore në këtë incident. Sipas të dhënave, nga viti 2021 janë regjistruar mbi 180 raste ankimesh nga qytetarët serbë, megjithatë në vitin 2024 ka pasur një ulje të numrit të ankesave. Sipas IPK-së, në vitin 2024 janë trajtuar disa raste penale: në Prokurori janë dërguar 3 raste me kallëzim penal, 1 me raport të veçantë dhe 2 me raport informues, ndërsa pjesa tjetër është në proces.

EULEX ka mirëpritur vendimin e Policisë së Kosovës për të informuar Inspektoratin Policor mbi fillimin e hetimeve për rastin e pretenduar të keqtrajtimit dhe ka kërkuar që çdo pretendim i tillë të hetohet shpejt dhe në mënyrë efektive nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, qytetarët serbë në veri kanë mendime të ndara për gjendjen aktuale. Disa e cilësojnë të përkeqësuar situatën për shkak të policisë së Kosovës, ndërsa të tjerë besojnë se situata është përmirësuar. “Policia e Kosovës na bën presion dhe nuk është profesionale,” tha një qytetar serb. Ndërsa një tjetër komentoi: “Gjendja është e mirë dhe mund të bëhet edhe më mirë.”

Policia e Kosovës i ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre në Inspektoratin Policor, pavarësisht prejardhjes së tyre.

Go to TOP