INPO ngre shqetësime për shkelje në prokurimin e Komunës së Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave

Iniciativa për Progres (INPO) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka trajtuar prokurimin për menaxhimin e mbeturinave, veçanërisht pas pezullimit të procedurës së hapur të nisur në nëntor 2024, me vlerë të parashikuar prej 16.5 milionë euro. Procedura u pezullua pas ankesës së paraqitur nga operatori ekonomik “KRM PASTRIMI” dhe ndërhyrjes së Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Pas këtij pezullimi, Komuna e Prishtinës ka iniciuar një procedurë të re për të njëjtin shërbim, këtë herë duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me një vlerë të parashikuar prej 2 milionë euro. Sipas INPO-s, kjo qasje është jo vetëm problematike në aspektin e transparencës, por edhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, pasi tenderi nuk është publikuar në platformën elektronike zyrtare.

Përmes një kërkese për qasje në dokumente publike, INPO ka kërkuar informacione zyrtare dhe dokumentacion nga Komuna për të kuptuar arsyet e përdorimit të kësaj procedure dhe mungesën e publikimit. Komuna nuk ka dhënë përgjigje të plotë duke dorëzuar dokumentet vetëm pas ndërhyrjes së Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Analiza e INPO-së tregon se përmbajtja e shërbimeve të kërkuara në procedurën e re është identike me atë të procedurës së hapur duke ngjallur dyshime për keqpërdorim të procedurës së negociuar. Sipas nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik, një procedurë e tillë mund të përdoret vetëm në situata emergjente të dëshmuara, të cilat, në këtë rast, nuk janë prezantuar.

INPO gjithashtu thekson se Komuna ka vepruar në kundërshtim me nenin 9 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili kërkon që të shqyrtohet mundësia e kontraktimit të shërbimeve përmes ndërmarrjeve publike ekzistuese. “KRM PASTRIMI”, ku Komuna e Prishtinës është aksionare, ka kapacitete për ofrimin e këtyre shërbimeve, dhe përjashtimi i saj konsiderohet i pajustifikuar dhe në dëm të interesit publik.

INPO kërkon që Komuna të sigurojë transparencë të plotë dhe të japë shpjegime të qarta për veprimet e saj në këtë proces, si dhe të punojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me “KRM PASTRIMI”, për të ndërtuar një sistem të ligjshëm dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Në përfundim, INPO i bën thirrje Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) që të ndërmarrë masa mbikëqyrëse dhe të kërkojë llogaridhënie nga Komuna e Prishtinës, për të garantuar respektim të ligjit, transparencë dhe konkurrencë të ndershme në prokurimin publik. /Kosova.info/


Go to TOP