Incidentet i vënë në pikëpyetje zgjedhjet në veri

Ende është e paqartë nëse do të ketë kushte për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës: në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Institucionet më të larta të shtetit, si Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, janë në pritje të vlerësimit të situatës së sigurisë nga Policia e Kosovës.

Ndërkohë kushte për një proces të tillë tha se nuk ka edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Sipas drejtuesve të KQZ-së, “zgjedhjet zor se mund të mbahen në këto kushte”. Kështu, të paktën, tha të mërkurën kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
E në pjesën veriore të vendit ka dy ditë që dëgjohen shpërthime të granatave.

Më 7 dhjetor në mbrëmje, në veri të Mitrovicës ndodhën dy shpërthime me bomba trullosëse apo, siç njihen ndryshe, “shok-bomba”.

Shpërthimet u raportua të kenë ndodhur te një udhëkryq në “Lagjen e Boshnjakëve”.

Për shpërthimet u dha edhe informacioni zyrtar nga ana e zyrtarëve policorë të Kosovës.

Përmes një komunikate u bë e ditur se janë regjistruar dy bomba trullosëse apo, siç njihen ndryshe, “shok-bomba”, por nuk raportohet për të lënduar.

“Dy sulme me shok-bomba në dy lokacione. S’ka dëme, s’ka të lënduar”- u tha në njoftim.

Policia, po ashtu, ka konfirmuar se nga dy shok-bombat e hedhura, fatmirësisht, nuk ka të lënduar e as dëme materiale.

Në këtë situatë, a ka kushte për zgjedhje në veri?

Institucionet më të larta të shtetit, si Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, janë në pritje të vlerësimit të situatës së sigurisë nga Policia e Kosovës.

Si rrjedhojë, vendimi për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve në veri të Kosovës do të merret vetëm pas vlerësimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit, tha Presidenca e Kosovës.

E në këto kushte, zgjedhjet nuk janë të favorshme që të mbahen as sipas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ambasadori Jeffrey Hovenier tha se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë datë.

Kjo pasi të martën, grupe të qytetarëve serbë në veri e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata.

Edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, të mërkurën deklaroi se incidentet në veri më 6 dhjetor dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në këtë pjesë të vendit.

Sipas tij, KQZ-ja në këto kushte nuk mund ta rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë.

“Në këto kushte, nuk mund të punojmë sipas planit tonë të paraparë. Është e padrejtë të kërkohet nga zyrtarët tanë që të dërgohen në një vend ku ka pasiguri”- tha Radoniqi.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha, po ashtu, se janë në pritje të vlerësimit të situatës në veri nga organet e sigurisë “për hapat e mëtejmë”.

E zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor.

Kujtojmë se katër komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq – që nga fillimi i nëntorit kanë mbetur pa kryetarë. Ata u dorëhoqën në shenjë kundërshtimi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Go to TOP