Inaugurohet busti i heroit Rrustem Bruqi, Hadërgjonaj: Një nderim i përjetshëm për sakrificën dhe lirinë e Kosovës

Është inauguruar sot busti i heroit Rrustem Bruqi, në sheshin “Rrustem Bruqi’’, në Isniq të Deçanit.

Njëri nga bashkëluftëtarët e tij, Gjeneral Fadil Hadërgjonaj-Bjeshka, tha se, sot jemi mbledhur këtu në fshatin Isniq për një moment të veçantë dhe të rëndësishëm – përurimin e lapidarit të heroit tonë, Rrustem Bruqi.

“Ky monument nuk është vetëm një gur i vendosur në kujtim të një njeriu, por një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe guximit të tij për lirinë e Kosovës. Në këtë vend, ku historia dhe kujtimet janë të gjalla, ne nderojmë jetën dhe veprën e Rrustemit, duke e vendosur atë në panteonin e heronjve që dhanë gjithçka për vendin e tyre”, tha ai..

Fjalimi i plotë:

Të nderuar familjarë të Rrustem Bruqit, bashkëfshatarë, miq dhe bashkëluftëtarë,

Sot jemi mbledhur këtu në fshatin Isniq për të nderuar kujtimin e një njeriu të madh dhe një heroi të vërtetë të kombit tonë, Rrustem Bruqi. Ky përurim i lapidarit të tij është një shprehje e respektit tonë të thellë dhe mirënjohjes së përjetshme për kontributin dhe sakrificën e tij deri në flijim, në përballje të drejtpërdrejt me forcat e armikut.

Rrustem Bruqi ishte një figurë e shquar, në historinë e Kosovës, një aktivist i hershëm politik dhe një luftëtarë i përkushtuar. Ai, vuri tërë potencialin e tij intelektual dhe profesional në shërbim të lëvizjes për Liri, Pavarësi e Demokraci, e prirë nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova.

Si jurist i diplomuar, ai e përdori dijen dhe përvojën e tij për t’i shërbyer vendit me vendosmëri dhe idealizëm. Bashkë me heroin Sali Çekaj dhe juristë të tjerë të Komunës së Deçanit, Rrustemi luajti një rol kyç në hartimin e Statutit të Komunës sipas dispozitave kushtetuese të Kaqanikut.

Në betejën e Loxhës më 6 korrik 1998, Rrustemi dha jetën e tij në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të kombit tonë. Sakrifica e tij ishte një akt i madh trimërie dhe një dëshmi e përkushtimit të tij të pakushtëzuar ndaj idealeve të lirisë dhe drejtësisë.

Ky lapidar që ne po inaugurojmë sot, është një simbol i përhershëm i këtij heroizmi dhe një kujtesë e asaj se çfarë do të thotë të luftosh për lirinë.

Rrustemi ishte jo vetëm një luftëtar, por edhe një vizionar dhe lider që frymëzoi të tjerët me veprën dhe përkushtimin e tij. Në këtë ditë të veçantë, ne e kujtojmë dhe e nderojmë jetën dhe veprën e tij, duke e vendosur këtë lapidar si një dëshmi të përjetshme të kontributit të tij të çmuar. Ky monument do të shërbejë si një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm, duke na kujtuar gjithmonë se liria dhe drejtësia kërkojnë sakrificë dhe përkushtim.

Në këtë ditë të veçantë, le të kujtojmë se liria që ne gëzojmë sot nuk është dhuratë, por një arritje e fituar me gjak dhe sakrificë.

Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të ndritur, ku respekti për njëri-tjetrin dhe përkushtimi ndaj vlerave kombëtare të jenë në themel të çdo veprimi tonë.

Në emër të të gjithë atyre që e njohën, bashkëvepruan, bashkëluftuan dhe e vlerësuan Rrustem Bruqin dhe sakrificën sublime të tij, dua të shpreh falënderimet më të sinqerta për pjesëmarrjen tuaj në këtë ceremoni.

Kujtimi i tij le të mbetet i gjallë në zemrat tona dhe në historinë tonë, duke na udhëhequr gjithmonë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të drejtë.

Dita e sotme, njëherit përkon edhe me 26 vjetorin e rënies heroike të tre luftëtarëve trima të Isniqit, Naim Bajraktari, Isa Balaj, Beqir Mehmetaj si dhe Naim Gjukaj nga Strellci i Ult dhe Ilmi e Ramush Shala nga Duboviku.

Lavdi dëshorëve të Isniqit,

Lavdi të gjithë të rën’ve në luftë për çlirimin e Kosovës!

Respekt e nderim invalidëve, veteranëve dhe familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së.

Faleminderit!

Isniq, 03 Gusht 2024

#FH /Kosova.info/

Go to TOP