IKShPK, thirrje qytetarëve që të vaksinohen: Me vaksinim parandalohen komplikime e rënda dhe vdekjet

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, në kohën kur varianti Delta del të jetë më i përhapuri në vend.

IKShPK thekson se vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda.

Instituti rikujton se asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19, që nënkupton se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.

Lexoni të plotë thirrjen e IKShPK-së për tu vaksinuar:

“Qytetarë të dashur!

Vaksinohuni!

Vaksinimi kundër COVID-19 shpëton jetë!

Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19!

Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar!

Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.

Vaksinohuni tash për të mos marrë masa rigoroze në vjeshtë!

Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima.

Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e  Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.

Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtjes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe.

Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.

Qytetarë të dashur!

Vaksinohuni!

Me vaksinë mbroni veten, familjen, të afërmit, kombin dhe njerëzimin kundër COVID-19.

Go to TOP