IKKL i përkushtuar në ndërtimin e arkivit për drejtësi e kujtesë kolektive
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është i përkushtuar për të mbledhur, dokumentuar dhe ruajtur dëshmitë për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës, si dhe për të kontribuar në ndërtimin e një arkivi që shërben për drejtësi dhe kujtesë kolektive.
Në një postim në “Facebook” Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë bën të ditur se në kuadër të angazhimeve të tij për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, ka realizuar një vizitë në Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe, si dhe në shtëpinë muze të veprimtarit dhe intelektualit të zhdukur Ukshin Hoti, në komunën e Rahovecit, ku u njohën nga afër me historinë e fshatit Krushë e Madhe, një nga vendet më të goditura nga krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998–1999, mbi rrethanat historike dhe periudhat e dhunshme, përfshirë masakrën e marsit 1999, ku 243 civilë shqiptarë u vranë barbarisht nga forcat serbe.
“IKKL vlerëson përpjekjet e banorëve dhe familjarëve të viktimave për të ruajtur kujtesën historike dhe për të dëshmuar të vërtetën për brezat e ardhshëm. Në këtë kuadër, u theksuan tentativat e forcave serbe për të fshehur gjurmët e krimit, përmes djegies së trupave, zhvendosjes së kufomave dhe shkatërrimit sistematik të provave, për të penguar zbardhjen e së vërtetës dhe ndëshkimin e autorëve”, thuhet në postim.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë sqaron se ka për mision mbledhjen e dokumenteve dhe ruajtjen të gjitha dëshmitë për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës, si dhe për të kontribuar në ndërtimin e një arkivi që shërben për drejtësi dhe kujtesë kolektive. /Kosova.info/
