Idetë e Abdixhikut, ta zhvendosë QKUK-në diku tjetër dhe t’i kontraktohet menaxhmenti
As vendndodhja, fasada, mënyra e menaxhimit dhe as shërbimet në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës nuk po ia mbushin syrin kandidatit për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Nëse ai zgjidhet kryeministër po synon që QKUK-në ta zhvendosë në një vend të ri, pra të ndërtojë një spital të ri, edhe pse vendin e menduar se ku do përshtatej nuk e prezantoi.
Në një intervistë për “KallxoPërnime”, Abdixhiku thotë se QKUK është ndërtuar në vitin 1964 dhe se tashmë ai vend nuk është i përshtatshëm për të, sa që sipas tij as meremetimet e Qeverisë Kurti nuk i mjaftojnë, ngase nuk bëjnë zgjidhje.
“Ne synojmë ta zhvendosim spitalin prej aty, ta ndërtojmë një spital të ri modern. Kemi ndarë diku rreth 250 milionë euro investime kapitale sipas parashikimeve të buxhetit shtetëror”- tha Abdixhiku në intervistë më 21.09.2024.
Abdixhiku thotë se kushdo që ka kushte pak më të mira nuk shkon në QKUK, dhe se kosovarët për shkak të shërbimeve jo të mira në spitale të Kosovës i dhënë 120 milionë euro në spitalin e Sistinës në Shkup.
Një ndryshim tjetër që hynë në reformat për shëndetësi, kreu i LDK-së, thotë se do ta bëjnë ndarjen e menaxhmentit prej stafit profesional në QKUK, pra do të kontraktojnë menaxhmentin.
“Një strukturë menaxhuese edhe të jashtme që vjen për katër vite i menaxhon spitalet. Kirurgu nuk ka nevojë më ditë a janë banjot e pastra a jo. Mjeku nuk ka nevojë me u merakos a ka sapun në banjo”- shtoi ai.
Ndërkaq, pika e tretë e shëndetësisë në planprogramin e LDK-së janë sigurimet shëndetësore.
“Me sigurime shëndetësore kontrakton shërbime. Duhet të bëhet lista e shërbimeve, fondet përkatëse e më pas fondi i sigurimeve shëndetësore është pagues e spitali porositës i shërbimeve”- tha ai.
Abdixhiku tha se gjatë këtyre katër viteve Kosova e ka humbur sensin e zhvillimeve të mëdha e si pasojë është shndërruar në një provincë rajonale.
“Po të shkove në rajon e sheh që është njëfarë boom-i ekonomik”- tha Abdixhiku, duke shtuar se Kosova ka pasur rritje ekonomike vetëm 3.3 për qind në vitin e kaluar.
Sigurimet shëndetësore janë premtim i shumë ministrave të shëndetësisë ndër vite, por që asnjëherë nuk u zbatuan.
Kreu i shëndetësisë, Arben Vitia në prill të këtij viti pati thënë se duhen dy vite funksionalizimin e SISh-it e katër vite për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.
7% do të jetë shuma e të ardhurave që do të shkojnë për Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Kjo vlerë do të ndahet mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, me nga 3.5% secili, kishte njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia më 28.08.2024, pasi që Qeveria miratoi projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
E njëjta shumë është e paraparë edhe me Ligjin e vitit 2014, i cili vazhdon të jetë në fuqi, ndonëse i pazbatuar plotësisht.
Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të shëndetësisë, Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani në vitin 2014 pati premtuar se në vitin 2015 do të fillojë mbledhja e premiumeve, të nevojshme për mbushjen e fondit për sigurimet shëndetësore. Ndërkaq, ish-Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani pati thënë në korrik të vitit 2015 se po punojnë që sigurimet shëndetësore të bëhen në pjesën e dytë të 2016.
Edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, pati deklaruar se kanë përfunduar përgatitjet dhe nga 01.07.2017 do të fillojnë sigurimet shëndetësore.