IAPK: Ndalimi për disa orë nga Serbia,në kundërshtim me të drejtat e njeriut

Instituti për Avokimin e Politikave Korrektuese e kanë cilësuar si të kundërligjshme dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, bllokimin e udhëtarëve shqiptarë në dy anë të kufirit nga autoritetet serbe.

“Veprimi i ndalimit për disa orë, pa ndonjë shkak të justifikuar, përbën veprim të ndalimit arbitrar të personave dhe është në kundërshtim me parimin e të drejtës për liri dhe siguri, të mbrojtura me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, siç është Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, pjesë e të cilave është edhe Republika e Serbisë”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë kërkuar nga pala serbe të mbajë përgjegjësi institucionale dhe politike, ndërkaq nga pala kosovare kanë kërkuar veprime konkrete që çojnë në ndëshkimin e autorit.

“Këto veprime të autoriteteve të Serbisë janë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur më herët me Republikën e Kosovës për lëvizjen e lirë të njerëzve, në kuadër të negociatave ndërmjet dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian”, reagon IAPK.

Go to TOP