I zhdukuri gjendet i vdekur në bodrum
Një person i raportuar si i zhdukur është gjetur pa shenja jete në bodrumin e një ndërtese në rrugën “Hamëz Jashari” në Ferizaj.
Viktima është një mashkull kosovar, i cili ishte shpallur i humbur nga familjarët më herët. Trupi i tij është zbuluar në rrethana ende të paqarta nga organet hetimore.
Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i vdekjes.
Autoritetet kanë nisur një hetim të thelluar, ndërsa detaje të mëtejshme pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
