Ekstradohet nga Spanja 25-vjeçari i akuzuar për tentatim vrasjeje në Kukës
Një 25-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Policia e Shtetit ka njoftuar se bëhet fjalë për shtetasin S. C., 25 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, pas një ngjarjeje të ndodhur në vitin 2023, në qytetin e Kukësit.
Ky shtetas dyshohet se, në një lokal në lagjen nr. 5 të Kukësit, ka tentuar të vrasë me mjet prerës shtetasin A. E. Për këtë ngjarje, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai përballet me akuzat për veprat penale “Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
