Hyseni: Lajm i mirë, avancimi i statusi të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga ai vëzhgues në të asociuar, kurse vendimi pritet të zyrtarizohet gjatë muajit maj.

Kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së, Driton Hyseni në një intervistë në “Info Plus” në RTK e ka vlerësuar lajm të mirë avancimin e statusit të Kosovës në këtë Asamble.

“Ne dje ishim në kontakt me presidentin e Asamblesë, i cili më kumtoi lajmin zyrtarisht të votimit pro ngritjes së nivelit të statusit të delegacionit të Kuvendit në kuadër të Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Qysh nga marrja e kësaj detyre në Kuvendin e Kosovës së bashku edhe me kolegun nga opozita, Xhavit Haliti i cili më herët ka qenë kryesues i delegacionit kemi intensifikuar takimet me të gjithë kolegët në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me qëllim që të dëgjohet edhe zëri i Kosovës, por edhe të arrijmë të kemi një përfaqësim sa më përmbajtjesor në kuadër të këtij institucioni shumë më rëndësi”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 dhe 2023 janë mbajtur takime me të gjitha delegacionet atje.

“Kemi nevojë të shkojmë hap pas hapi në ngritjen e prezencës sonë në këto mekanizma ndërkombëtare. Por, ajo çka dua të ndajë edhe me qytetarët është se një mekanizëm i tillë që është shumë pranë NATO-s siç është Asambleja Parlamentare që mbledhë të gjithë përfaqësuesit politikë të kuvendeve që janë prezent aty e dhanë një mesazh të qartë sa i takon gatishmërisë që ta shohin Kosovën sa më afër.Ky është një sinjal që deputetët e vendeve anëtare të NATO-s e shohin me sy të mirë anëtarësimin e Kosovës drejt në NATO”, ka thënë Hyseni për RTK.

Hyseni ka thënë se dje është marrë vendimi për avancimin e statusit të delegacionit të Kosovës, ndërsa ceremonia e zyrtarizimit do të bëhet në sesionin pranveror në Sofje të Bullgarisë më 27 maj.

Ai tha si anëtare e asociuar Kosova do të ketë edhe shtim të më shumë deputetëve të saj. “Do të kemi mundësi të marrim rol kyç në shumë prej proceseve që ndërlidhen me funksionimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përfshirë edhe raporte që nxirren për regjione të ndryshme,por edhe në nivel global”, nënvizoi ai.

Go to TOP