Hyseni: 28 nëntori na kujton krenarinë e kombit tonë

Aktivitetet në Komunën e Gjilanit për nder të 112 vjetorit të Ditës së Flamurit, kanë vazhduar me seancën solemne, homazhe te varrezat e dëshmorëve, vendosjes së gurthemelit për bustin e Hamdi Zymberit, një simbol i qytetit tonë dhe performanca-akrobacione në qendër.

Në këto aktivitete ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni,  bashkë me nënkryetaren, Leonora Morina Bunjaku, zv. ministrin e  Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Agim Lipovica, ish- komandanti i ZOK-ut, Ahmet Isufi,  deputetë nga Kuvendi i Kosovës, drejtorë, këshilltarë e zyrtarë komunalë, përfaqësues të subjekteve politike, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të shoqatave të UÇK-së, veprimtarë e qytetarë.

Kryetari i Gjilanit, tha se 28 nëntori na kujton krenarinë e kombit tonë, duke lidhur bashkë ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Sot, me krenari nderuam këtë ditë të madhe përmes seancës solemne, homazheve për dëshmorët, dhe vendosjes së gurthemelit për bustin e Hamdi Zymberit, një simbol i qytetit tonë”, tha Alban Hyseni.

Sipas tij një moment i veçantë ishte edhe performanca e mrekullueshme nga fëmijët në Teatrin e Qytetit, të cilët përmes akrobacioneve dhe artit na sollën një mesazh frymëzimi dhe krenarie.

Në fjalën e tij pas homazheve te varrezat e dëshmorëve, kryetari Alban Hyseni, tha se këtu prehën ata që nuk u dorëzuan kurrë, ata që zgjodhën të luftonin me guxim për një Shqipëri të lirë, për njjë Kosovë të pavarur dhe për një komb shqiptar krenar e të bashkuar.

“Kjo ditë e shënuar ka një domethënie të veçantë”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit, shtoi se dëshmorët që prehën këtu dhe kudo në trojet shqiptare, janë dëshmi e forcës e vendosmërisë së një populli që nuk u pajtua me padrejtësitë.

Më tej kryetari theksoi se përpara sakrificës së tyre ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë. Ata na kujtojnë përherë se liria nuk është e dhënë, por fitohet me guxim, gjak dhe sakrifica.

“Detyra jonë sot është që të ruajmë me dinjitet atë për të cilën ata e dhanë jetën, të forcojmë unitetin kombëtar dhe të  punojmë pê të ardhmen e brezave që vijnë pas nesh”, tha Hyseni.

Kryetari i Gjilanit, theksoi se ky flamur që valëvitet i lirë mbi Shqipërinë e Kosovën, është amaneti i tyre, por njëkohësisht edhe krenaria jonë.

Zëvendës ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, në emër të Qeverisë së Kosovës, tha se  jemi mbledhur sot të bashkuar për të shënuar 112 vjetorin e pavarësisë, daljes në skenë të UÇK-ë  dhe të ditëlindjen e kryekomandatit legjendar Adem Jashari. /Kosova.info/

Go to TOP