Hyn në fuqi marrëveshja e arsimit mes Shqipërisë dhe Kosovës

Ka hyrë në fuqi marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare, në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Sipas marrëveshjes, palët do të inkurajojnë dhe mbështesin bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës.

Ato do të sigurojnë shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit mbi organizimin e institucioneve arsimore dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nga ana tjetër, palët do të inkurajojnë dhe mbështesin vendosjen e lidhjeve të drejtpërdrejta midis strukturave përkatëse në nivelin e ministrive, të universiteteve si dhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Bazuar në këtë marrëveshje: “Palët do të inkurajojnë dhe mbështesin një pjesëmarrje të gjerë të mësimdhënësve, ekspertëve dhe kërkuesve shkencorë në seminare, simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare të organizuara nga palët dhe do të bashkëpunojnë ngushtë në trajnimin e tyre.”

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në mbështetjen aktive të institucioneve të tyre në kuadrin e programeve arsimore të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës dhe të UNESCO-s.

“Palët do të inkurajojnë dhe mbështesin bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve akademike në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës nëpërmjet projekteve të përbashkëta shkencore dhe hulumtuese. Palët do të mbështesin pjesëmarrjen e përbashkët të institucioneve arsimore dhe kërkimit shkencor në projekte të karakterit dypalësh dhe shumëpalësh. Ato do të inkurajojnë lëvizshmërinë e studentëve në të dyja vendet. Kandidatët e interesuar aplikojnë brenda njësive përgjegjëse të secilit vend. Njësitë përgjegjëse të arsimit të lartë në secilin vend, përcaktojnë kriteret dhe modalitetet për administrimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e tyre”, thuhet në marrëveshje.

Si qeveria shqiptare ashtu edhe ajo kosovare zotohen të ofrojnë bursa për studentët sipas legjislacionit në fuqi të secilit vend. Shuma totale e bursës për studentët e të dyja vendeve do të jetë 1000 euro për vit akademik për secilin përfitues.

“Mënyra e shpërndarjes së bursave do të jetë në pajtim me legjislacionin e vendit përkatës. Numri maksimal i bursave që do të ofrohen nga secila Palë është 30 bursa në vit. Palët ngrenë grupe ad-hoc për të shqyrtuar kriteret dhe procedurat për alokimin e bursave. Ato do të shkëmbejnë ekspertë në fushën e akreditimit të arsimit të lartë për shkëmbim përvoje dhe pjesëmarrje në procesin e akreditimit, si dhe do të punojnë së bashku për lehtësimin e procedurave për njohjen reciproke të certifikatave, diplomave, titujve dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet arsimore të të dyja palëve”, thuhet në marrëveshje.

Për realizimin e kësaj marrëveshjeje, palët do të ngrenë grupet e punës për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, të cilët do të takohen në mënyrë të alternuar në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.

Grupet e punës do të jenë të përbërë nga 3–5 anëtarë dhe do të realizojnë vizita në vendin e palës tjetër për shkëmbim përvoje, për një periudhë të që është rënë dakord në përputhje me veprimtarinë dhe parashikimet buxhetore përkatëse.

Go to TOP