Hykmete Bajrami kërkon dorëheqjen e Abdixhikut dhe ofron dorëheqjen e saj

LDK-ja ka humbur legjitimitetin dhe ka nevojë për zgjedhje të brendshme

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke u thirrur në standardet politike që, sipas saj, vetë LDK-ja i ka ndërtuar dhe zbatuar ndër vite si në fitore ashtu edhe në humbje.

Bajrami ka bërë të ditur se këtë kërkesë e ka parashtruar në mbledhjen e fundit të LDK-së, ndërsa njëkohësisht ka ofruar edhe dorëheqjen e saj të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së partisë. Ajo theksoi se ky veprim bazohet në parimin e përgjegjësisë politike, sipas të cilit kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të mbajë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme.

“Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo ka vlerësuar se përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti dhe te një person i vetëm, i cili, sipas saj, për pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe partiak e ka vendosur mbi interesin e Kosovës.

Bajrami ka ritheksuar rolin historik të LDK-së si mbrojtëse e shtetit, institucioneve, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë duke theksuar se ky mision realizohet vetëm atëherë kur interesi i partisë vihet mbi interesat personale dhe interesi i Kosovës mbi interesat partiake.

“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme. Nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Bajrami ka falënderuar 126 mijë e 102 qytetarët që kanë votuar LDK-në dhe 57 mijë e 153 qytetarë që i kanë besuar asaj angazhimin politik duke konfirmuar se do të vazhdojë të punojë për LDK-në dhe për interesin e vendit si deputete e zgjedhur në mandatin e saj të shtatë në Kuvendin e Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

“LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse një LDK e fortë i duhet Kosovës”, ka përfunduar Bajrami. /Kosova.info/


Go to TOP