Humbje dinjitoze në Suedi, Shqipëria ndryshon fytyrë, por nuk korrigjon shënjestrën

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin minimal 1-0 në “Friends Arena” të Stokholmit, kuqezinjtë e Sylvinhos shfaqën një fytyrë tërësisht tjetër, krahasuar me atë të tri ditëve më parë në Parma ndaj Kilit.

Një skuadër e kujdesshme në mbrojtje, që mbyllte mirë hapësirat e kundërshtarit dhe dilte me shpejtësi me Armando Brojën, që i vetëm mbajt lart skuadrën dhe peshën e sulmit, duke u shndërruar në një rrezik konstant për mbrojtjen suedeze.

Ishte pikërisht Broja që ndezi entuziazmin e kuqezinjve me një shpërthim karakteristik, që u ndal me faull në zonë, por këtë herë nuk ka VAR dhe arbitri nuk e pa të arsyeshme të vërshëllente penallti për kuqezinjtë.

Më pas edhe një gol i shënuar nga sulmuesi kuqezi, por këtë herë në pozicion jashtë loje, teksa nga ana tjetër Suedi provoi me disa goditje nga distanca, që nuk vunë në vështirësi Thomas Strakoshën.

Pjesa e dytë ishte dukshëm më e mirë për kuqezinjtë, që bënë presing shumë më lart dhe fituan metra në fushë, teksa në disa raste iu afruan edhe golit, por e majta e Asanit dhe e djathta e Bajramit nuk ishin kolauduar siç duhet.

Go to TOP