Humbi mbi 30 familjarë në luftë, bën thirrje për bojkotimin e produkteve serbe

Iniciativës për bojkotimin e produkteve serbe i është bashkuar edhe Getoar Shehu, pronar i njërit prej lokaleve të gastronomisë në fshatin Krushë e Vogël e Prizrenit.

Shehu, të cilit gjatë luftës ia vranë babanë dhe mbi 30 anëtarë të familjes, thotë se i është gëzuar kësaj iniciative dhe se sipas tij, ajo duhet të vazhdojë edhe më tutje.

“Kemi vendos që në përkrahje të fushatës por dhe si obligim qytetar, obligim moral ndaj shumë sakrificave, e kam ndjerë dhe e ndjej se duhet të jetë obligim për gjithsecilin që të paktën një ndihmë të mos ia japin shtetit serb”, shprehet ai.

Shehu përmend edhe vështirësitë që has për t’u furnizuar nga shtetet e tjera, por që pavarësisht kësaj ai thotë i bindur se nuk do t’u shërbejë klientëve të tij produkte nga Serbia.

Ai shton se emocionet janë të pashmangshme teksa flet për periudhën e luftës në Kosovë, derisa atë e përmbledh me një thënie të Albert Ajnshtajnit.

Në përkrahje të iniciativës për të bojkotuar produktet serbe, fushatë e cila nisi pas tensioneve në veri, janë edhe banorët e tjerë të fshatit, të cilët kërkojnë edhe përkrahjen e institucioneve për këtë.

“Është shenjë shumë e mirë e patriotizmit dhe me këtë fushatë sadopak mund t’i nderojmë ata që ranë për lirinë e Kosovës dhe për shtetin tonë”, thotë Muharrem Asllani, banor i Krushës së Vogël.

Iniciativa “Mos bli prodhime serbe”, mori hov pas barrikadave të vendosura në komunat veriore të Kosovës, në fundvitin e kaluar si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish- zyrtari policor.

Aktive në rrjetin social Facebook, kjo iniciativë tashmë ka gjetur përkrahjen e shumë bizneseve, që kanë larguar produktet serbe.

Go to TOP