Vreshtarët nuk këndellen, fitore e rëndësishme për prizrenasit

Ponte Prizreni është rikthyer te fitoret, duke mundur Rahovecin në udhëtim 63:85 (13:23, 19:16, 9:27, 22:19), në javën e 19-të në Prince Caffe Superligë.

Në fakt shtatë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë, deri pranë rezultatit 13:14, por më pas prizrenasit u shkëputën për të fituar çerekun e parë 13:23. Vendasit nuk u dorëzuan dhe u rikthyen në periodën e dytë, kur afruan rezultatin në 29:32, derisa pjesa e parë përfundoi 32:39.

Dallimi i madh dhe vendimtar u bë në periodën e tretë, ku mysafirët ishin bindshëm më të mirë dhe u shkëputën minutë pas minute, ku shifrat pas 30 minutash ishin 41:66. Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte ndonjë ndryshim të madh dhe prizrenasit u rikthyen te fitorja me rezultat 63:85.

Më i miri te Rahoveci ishte Bardh Rexha me 13 pikë e tetë kërcime, kurse te Ponte Prizreni më të mirët ishin Meriton Ismaili me 28 pikë dhe Wayne Arnlod me 25 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime.

Vreshtarët mbeten në vendin e fundit me dy fitore e 17 humbje, kurse prizrenasit kanë shtatë fitore e 12 humbje. /Kosova.info/

Go to TOP