Hovenier e pret në takim ambasadoren amerikane në Kroaci: Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës më i fortë se kurrë

Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier e ka pritur në takim ambsadoren amerikane në Kroaci, Nathalie Rayes.

Hovenier tha se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është më i fortë se kurrë, siç citon Ambasada e SHBA-së në Kosovë në një postim në Facebook.

“Kënaqësi ta mirëpresim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kroaci Nathalie Rayes në vizitën e saj të parë në Kosovë. Mezi pres ta prezantojmë atë në këtë vend të gjallë, ku përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës është më i fortë se kurrë”, citohet të ketë thënë Hovenier.

Të mërkurën e javës së kaluar, kur Kosova dhe Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nënshkruan një marrëveshjen për grantin, që ofron ndihmë shtesë për vendin në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh, Hovenier foli për partneritetin ndërshtetëror.

Ai tha se Washingtoni po përballet me disa sfida nga Qeveria e Kosovës dhe se ato “kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”.

“Thënë këtë, disa nga fushat e bashkëpunimit me Qeverinë aktuale të Kosovës janë më pak pozitive sa që kemi shpresuar, angazhimi i Qeverisë amerikane për popullin e Kosovës është më i fort se kurrë më parë”, tha Hovenier.

Ndihma shtesë për Kosovën, përmes USAID-it, sipas Hovenierit është tregues i angazhimit të SHBA-së për popullin e Kosovës.

“Ngjarja e sotme, përmbyllja e marrëveshjes prej 34.5 milionë dollarë si mbështetje shtesë për popullin e Kosovës, për rritje ekonomike, integrimin evropian mendoj se qartësisht thekson këtë qëndrim. Megjithatë, duhet ta pranoj se ky angazhim ndaj popullit të Kosovës jo domosdo vlen për ndonjë qeveri të veçantë apo për zgjedhjet e politikave apo veprime të asaj qeverie”, tha ai.

Go to TOP