Hoti: Tri institucioneve vitale të Kosovës, u është cenuar pavarësia

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se tri institucioneve vitale të Kosovës u është cenuar pavarësia.

Hoti e pati fjalën për RTK-në, AKI-në dhe Auditorin e Jashtëm.

“Radio Televizioni i Kosovës është institucion i pavarur, që ka për obligim informimin e drejtë dhe të paanshëm të publikohet dhe financohet nga taksat e qytetarëve. Institucion tjetër i rëndësishëm është AKI-ja, që ka për qëllim të mbrojë sigurinë kombëtare, të prodhojë informacionet e nevojshme për të gjitha institucionet shtetërore për situata që cenojnë sigurinë kombëtare dhe institucioni i tretë Auditori i Jashtëm, i cili tash mbikëqyr rregullsinë e shpenzimeve të parasë publike”, tha Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Është fakt se javët e fundit ka pasur informata të bazuara se puna e këtyre institucioneve vitale është cenuar, është cenuar pavarësia e punës së këtyre institucioneve”.

Po ashtu, Hoti shton se në katër vjet nuk është bërë asgjë për të pavarësuar financimin e RTK-së, duke përmendur po ashtu edhe përndjekjen e gazetarëve nga AKI-ja.

“Të mos harrojmë se buxheti i RTK-së është i përafërt ose më i madh se i Kuvendit të Kosovës, e financojmë nga taksat e qytetarëve, nuk është bërë asgjë për të pavarësuar financimin e RTK-së”, u shpreh Hoti.

Go to TOP