Hoti i reagon Osmanit për zhvillimet në Kuvend: Deklarata e saj është për keqardhje

Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së sotme të Presidentes së vendit, e cila foli për çështjet që presin shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Hoti e cilësoi deklarimin e saj si “të pavend dhe për keqardhje” duke theksuar se Presidentja është e vetëdijshme se për t’u shqyrtuar këto çështje në Kuvend, duhet më parë të kryhen disa veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit.

“Sikur të mos e dinte këtë, do ishte për t’u kuptuar, por ajo po renditet hapur krah aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike. Madje, po i fton edhe mediat të ushtrojnë presion mbi partitë”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, kjo sjellje e Presidentes është pjesë e një strategjie për ndërtimin e “narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja” duke shtuar se nuk është hera e parë që ajo vepron në këtë mënyrë.

Në anën tjetër, Hoti ka kujtuar edhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili, sipas tij, ka konstatuar se anëtarët e qeverisë që janë betuar si deputetë po mbajnë pozitat qeveritare në mënyrë joligjore.

“Ajo nuk thotë asnjë fjalë për këtë, edhe pse Kushtetuta e detyron të sigurojë funksionim kushtetues të institucioneve. Kaq për moralin politik të saj. Mjerim”, përfundon reagimin e tij Avdullah Hoti. /Kosova.info/


Go to TOP