Historiani i shquar shqiptar Mark Palnikaj feston 70-vjetorin në Prishtinë, nderohet nga personalitete të shquara dhe nga Vatikani

Sot në Prishtinë, historiani i madh shqiptar, Mark Palnikaj, festoi ditëlindjen e tij të 70-të në një organizim të mrekullueshëm me pjesëmarrës të shumtë, Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, Dr. Don Lush Gjergji, ish-kryeministri Agim Çeku, profesorë dhe shumë personalitete të botës akademike u mblodhën për të festuar dhe nderuar kontributet e çmuara të Palnikajt.

Mark Palnikaj njihet për punën e tij të palodhur si historian dhe studiues i historisë dhe arkivave sekrete, duke nxjerrë në pah shumë çështje të rëndësishme të historisë shqiptare dhe dokumente sekrete të papublikuara më parë. Biografia e Markut është një thesar i vërtetë për gjithë shqiptarët.

Gjatë ceremonisë, Palnikaj u nderua me mirënjohje nga Vatikani, e cila u dha në emër të Atit të Shenjtë Papa Françesku nga Dr. Don Lush Gjergji. Në fjalimin e tij, Dr. Gjergji theksoi punën e madhe dhe të rëndësishme të Markut. Presidenti Sejdiu gjithashtu e përgëzoi Palnikajn, duke e cilësuar si një thesar kombëtar.

Në fjalën e tij falenderuese, Mark Palnikaj shprehu mirënjohjen e tij të thellë në emër të tij dhe të familjes së tij, e cila ishte gjithashtu e pranishme në ceremoni. Ai theksoi se do të vazhdojë të punojë dhe të hulumtojë arkivat për Kosovën dhe gjithë shqiptarët deri në frymën e tij të fundit.

Ky organizim ishte një dëshmi e respektit dhe vlerësimit të madh që komuniteti akademik dhe shoqëria shqiptare kanë për punën dhe përkushtimin e Mark Palnikajt në fushën e historisë./ Emanuel Demaj-Kosova.info

Go to TOP