Himni `Bože pravde` dhe entiteti Republika Serbe

Kuvendi Popullor i entitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Serbe (RS), me propozim të shumicës qeverisëse, këtë javë ka miratuar Projektligjin për plotësimin e Ligjit për përdorimin e flamurit, stemës dhe himnit. Kjo do të thotë se në të ardhmen, në fillim të seancës së parlamentit të entitetit, mund të intonohet himni i Republikës së Serbisë “Bože pravde” (Zot drejtësi), ndërsa në ndërtesën e Kuvendit mund të vendoset flamuri i Serbisë me stemën e Nemanjiqit.

Projektligji i propozuar është në përputhje me Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, miratuar në të ashtuquajturin Kongresi Panserb, mbajtur më 8 qershor në Beograd. Në atë dokument thuhet se “populli serb përfaqëson një tërësi të vetme” dhe se “Sretenje Gospodnje” (Dita e Takimit të Zotit), 15 shkurti, është Dita e Pavarësisë së Serbisë dhe Dita e Pavarësisë së Republikës Serbe, “të cilat festohen së bashku dhe bashkërisht”.

ENTITETI REPUBLIKA SERBE SI PJESË PËRBËRËSE E SERBISË

Projektligjin për plotësimin e Ligjit për përdorimin e flamurit, stemës dhe himnit e ka propozuar Nenad Stevandiq, kryetar i Partisë ‘Srpska e Bashkuar’, i cili, “për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, integritetit dhe sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës”, është tashmë nën sanksionet e SHBA-ve për një vit.

Analistja politike nga Banja Luka, Tanja Topiq, duke komentuar për gazetën e përditshme beogradase Danas miratimin e Projektligjit të përmendur, tha se udhëheqësit politikë të entitetit Republika Serbe sillen sikur ky entitet është pjesë përbërëse e Serbisë.

“A do ta pranonin ata (udhëheqësit politikë të entitetit të RS) arsyetimin që ata vetë e japin në kuadër të kornizës ligjore – për shembull të vendosin shahoren ose flamurin e Turqisë pranë flamurit dhe stemës të Republika Serbe? Sigurisht që kjo do të interpretohej si një sulm ndaj popullit serb”, tha Tanja Topiç për Danas.

Institucionet në entitetin RS injorojnë flamurin zyrtar të Bosnjës dhe Hercegovinës; himni kombëtar intonohet vetëm në fillim të seancës së parlamentit shtetëror.

Duke pasur parasysh se në fund të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar përfaqësuesit politikë të tri kombeve konstituive në BeH nuk mund të binin dakord për simbolet shtetërore, atëherë Përfaqësuesi i Lartë Carlos Westendorp në vitin 1998 ua imponoi boshnjakëve dhe hercegovinasve flamurin dhe himnin shtetëror. Himni i Bosnjës dhe Hercegovinës “Intermeco”, ashtu sikurse edhe himni i Republikës së Kosovës, nuk ka tekst.

SHKËPUTJE PAQËSORE

Një ditë para miratimit të Projektligjit, presidenti i entitetit RS, Milorad Dodik ia dorëzoi Kuvendit të entitetit “Marrëveshjen për rregullimin e marrëdhënieve midis RS dhe Federatës së BeH në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe aktet ndërkombëtare”. Analistët në Sarajevë e interpretojnë dokumentin e propozuar si vazhdimësi e politikës së Dodikut për “shkëputje paqësore”.

“Dnevni avaz” i Sarajevës publikoi ekskluzivisht pjesë të dokumentit të Marrëveshjes së Dodikut, në të cilën thuhet se entiteti RS dhe Federata e BeH, që përbëjnë Bosnjën dhe Hercegovinën, “do të respektojnë reciprokisht subjektivitetin juridik, në përputhje me statusin e palëve kontraktuese dhe nënshkrueset e të gjitha anekseve të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen në BeH”. Në dokumentin që “Avaz” kishte në dorë thuhet gjithashtu se palët angazhohen të sigurojnë paqen dhe sigurinë në territoret e tyre, sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe pronës, si dhe të zhvillojnë “marrëdhënie të mira fqinjësore me qëllim arritjen e stabilitetit rajonal”. Dispozitat kryesore të Marrëveshjes përcaktojnë arsyet e “shkëputjes paqësore”.

“Palët shkëputen paqësisht për shkak të pamundësisë së rinovimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen në BeH, e cila garantonte barazinë e entiteteve dhe konstitutivitetin e popujve në bazë të konsensusit, duke aplikuar demokracinë konsocioniste dhe mekanizmat e mbrojtjes së interesave të entiteteve dhe kombeve. Pas shkëputjes paqësore, palët do të funksionojnë në mënyrë sovrane në përputhje me traditën juridike që RS trashëgon që nga 9 janari 1992, kur edhe u shpall, dhe traditën që FBeH trashëgon që nga 18 marsi 1994, kur u krijua me Marrëveshjen e Uashingtonit,” thuhet në dokument dhe shtohet se gjatë procesit të “shkëputjes paqësore, palët do të veprojnë me ndërgjegje, primare dhe në përputhje me respektimin e pacenueshmërisë së kufijve”.

ÇMIMI I “STABILITETIT”

Duke komentuar propozimin për “shkëputje paqësore” në Bosnjë dhe Hercegovinë, ministri i sigurisë së këtij shteti Nenad Neshiq i tha mediave të Sarajevës se ideja e propozuar nga Milorad Dodik do të stabilizonte situatën politike në të dy entitetet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ju ofruam dy miliardë për shkëputje paqësore, na jepni dhjetë që të mbetemi në Bosnjë dhe Hercegovinë. A nuk është më mirë të shkëputemi paqësisht dhe të kemi një Federatë BeH dhe një Republikë Serbe të qëndrueshme,” tha ministri Neshiq.

Politikanët boshnjakë kanë përsëritur shumë herë se një përpjekje për shkëputje të entitetit Republika Serbe nga shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës nuk do të kalonte paqësisht.

Çështja e simboleve të entiteteve – himnit dhe flamurit, si dhe propozimi për “shkëputje paqësore” të Bosnjës dhe Hercegovinës, zyrtarët e entitetit Republika Serbe e hapin dhjetë ditë para përkujtimit të krimit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore – gjenocidit në Srebrenicë, gjatë të cilit ushtria e RS, nën komandën e kriminelit të luftës Ratko Mladiq, vrau më shumë se tetë mijë myslimanë dhe boshnjakë. Pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në maj të këtij viti, 11 korriku u shpall Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Gjithashtu, Rezoluta dënon mohimin e gjenocidit, si dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

Pavarësisht dënimeve të shumta nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe gjykatat vendore, Serbia dhe entiteti i Bosnjës dhe Hercegovinës RS ende mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid.

*Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon tema nga rajoni.

Go to TOP